Negociatat, Agron Duka: Më mirë që nuk u hapen tani!

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe aleati i Bashës, Agron Duka tha se më mirë që nuk u hapën negociatat tani sepse politika vuan nga disa plagë që duhen shëruar dhe nëse hapeshin negociatat kjo gjendje do të bashkëjetonte me shoqërinë shqiptare.

“Them më mirë që nuk u hapën tani, pasi politika vuan nga disa plagë që duhen shëruar dhe nëse hapeshin negociatat kjo gjendje natyrisht do të majiseshin dhe do të bashkëjetonte me shoqërinë shqiptare.

Nuk kam qenë në dijeni të ndonjë lobimi të tillë kundër negociatave nga PD. Me aq info sa kam nuk di të jetë marrë iniciativa të tilla lobuese kundër hapjes së negociatave. PAA është në aleancë me PD dhe nëse vërtetohet diçka e tillë ne do shohim marrëdhëniet tona me PD”- tha Agron Duka.

Ndërkohë, një tjetër çështje me rëndësi që u prek nga Duka ishte edhe reforma zgjedhore, që sipas tij po lihet pas dore qëllimisht.

“Edhe neglizhente edhe e qëllimshme, por mendoj se kohët e fundit ka një angazhim. Nëse nuk do të zgjidhet është një situatë shumë e deformuar. Nuk do largojë partitë e vogla, se fakti ka treguar se kanë tentuar t’i largojnë, por ato kanë mbijetuar”, tha Duka.

Kreu i PAA-së  teksa është pyetur në lidhje me faktin nëse duhet të jepte dorëheqje ministri i Brendshëm, ndërsa ai pohoi se pavarësisht faktit se Xhafaj është i zoti në punën e tij, ai duhet të largohet pasi i vëllai është i dënuar për trafik droge.

“Nëse ministri i Brendshëm diskutohet për lidhje me krimin, zëvendësohet nga një tjetër edhe sikur të jetë i zoti, dhe i zoti është sepse unë e njoh Xhafajn, por fatkeqësisht vëllai i tij është i dënuar për trafikim dhe në këtë situatë nuk mund të vazhdojë”, tha Duka.