Mehmetaj: Mazhoranca të kthehet më këmbë në tokë, dështoi me negociatat

Fjala e deputes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj ne tryezën e rrumbullakët “Çfarë e pret Shqipërinë mbas konkluzioneve të Këshillit të BE për ceshtjet e përgjithshme: Pritshmëritë dhe detyrat”

Jam deputete në Parlamentin e Shqipërisë nga LSI-j. Dua të falenderoj në rradhë të parë fondacionin Friedrich Erbert që na bëri pjesë të këtij diskutimi. Në fakt po më dukej vetja pak si prishja e festës por mendoj që ndonjëherë në të tilla diskutime dhe tryezash është mirë që mendimet ti rrahim me të gjitha palët sepse edhe nëse opozita pavarësisht kritikave të saj nuk është e përfaqësuar, padiskutim, diskutimi ngelet i njëanshëm dhe nuk trajohet në 360 gradët e tij.

Atë që pikërisht duhet të marrin qytetarët. Megjithatë unë diskutimin desha ta zhvilloj me z.Fleckenstein të cilin e falenderoj për punën shumë të madhe që ka bërë si reporter për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Jo vetëm z.Fleckeinstain por bashkë me të edhe eurodeputeët, z.Mecalister, Fayon të cilët realisht mund të kenë bërë shpesh përpjekje edhe më të mëdha sesa vetë ne shqiptarët për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit.

Megjithatë unë kam këtu konkluzionet të cilat kanë dalë nga Këshilli që në fakt si unë besoj që mund ti aksesojnë të gjithë qytetarët shqiptar. Dhe aty e zeza është e shkruar në të bardhë dhe përtej përgëzimeve të cilat unë i kuptoj dhe i mirëkuptoj nga ana e Europës sepse është edhe një shtysë që ne të vazhdojmë përpara në rrugën tonë, mendoj që ato që janë të shkruara duhet ti marrim dhe ti analizojmë me kujdes. Unë do ndalem në 3 pika të cilat do desha ti diskutoj me z. Fleckenstain.

E para lidhet pikërisht me zgjedhjet që Parlamenti Europian ka vitin që vjen. Unë kam qenë në Strasburg ditën që ka dalë strategjia për integrimin, le të themi të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetë z.Fleckenstein tha se ky është një stacion të cilin ne duhet ta kapim pasi viti i ardhshëm do të jetë shumë i vështirë për Europën për të pasur dhe për të parë mundësi të zgjerimit për shkak të zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve për shkak të asaj që mund të hyjë në parlamentin europian ku për hir të së vërtetës populistët po rriten gjithandej nëpër Europë. Dhe kjo mund ta bëjë të vështirë rrugën jo vetëm të Shqipërisë por të të gjithë rajonit.

Besoj që jam e saktë në fjalët që po them. Ja pra ku na del një pikëpyetje e madhe lidhur me shtyrjen e marrjes së vendimit vitin që vjen.

Në këto përfundime të shkruara që unë sërish dua ta theksoj që janë përfundime dhe jo vendime ku kisha disa që i quaj më prioritaret, ku pa dyshim është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. E dyta reforma në drejtësi që u tha këtu edhe më parë, që në qeverisjen e kaluar brenda koalicionit qeverisës sigurisht që kemi pasur diferenca dhe ajo ka qëndruar ndërmjet dëshirës për të pasur një reformë konsensuale dhe e kundërta dhe ja ku jemi sot në ditën e të kundërtës kur një nga konkluzionet thotë që duhet brenda këtij viti të stabilizohet ngritja e institucioneve të drejtësisë.

Përmendet e shkruar SPAK-u dhe BKH-ja. Ndërkohë që realiteti është që ky vit do të jetë pak i vështirë për të ngritur këto institucione duke marrë parasysh edhe propozimet e ndryshme që kanë ardhur në parlament për të parë zgjidhje të tjera përtej asaj që janë votuar në ndryshimet që janë bërë në 2016. Dhe e treta që bësoj që ka qenë dhe arsyeja kryesore pse Franca nuk e ka patur një votë pozitive për hapjen e negociatave që është çështja e azilkërkuesve që sidomos në Francë për dy ose diçka vite më shumë mbajmë numrin më të lartë të azilkërkuesve. Dhe e fundit për të shkuar prapë te ajo që u tha edhe gjatë ndërprerjes së fjalës sime ose nga shpjegimet që dhanë zotërinjtë e nderuar ndër të tjera diçka që unë e shoh të shtuar është pikërisht aty ku thuhet saktësisht që vendimmarrjen për hapjen e negociatave Këshilli do ta marrë në qershor të 2019 varur nga progresi i bërë nga Shqipëria. Dhe mbi të gjitha pasi të kaloj edhe në parlamentet nacionale të vendeve anëtare. Që kriter të tillë përveç Gjermanisë edhe Hollandës ne nuk kemi pasur për këtë vit që kaloi.

Unë mendoj që është mirë që nga ana e vendeve të BE dhe aktorëve në të, që të përgëzojnë Shqipërinë për ecurinë, tek e fundit për shqiptarët është e rëndësishme të shohin që kanë miq që duan ta shohin Shqipërinë brenda BE. Por mendoj që për klasën politike shqiptare nuk ka aspak vend për eufori dhe triumf dhe mendoj përkundrazi duhet të ketë një reflektim shumë të thellë. Sepse dëmi në fund të ditës nuk i bëhet politikanëve që besoj kanë më shumë mundësi dhe akses se qytetarët e thjeshtë por qytetarëve që rrezikojnë lëvizjen e lirë, punësinmin, gjithë të mirat që sjellë BE. Dhe në këtë pikë mendoj që reflektimi duhet të jetë shumë më i madh, diskutimi duhet të jetë me këmbë në tokë dhe në vend të gëzojmë për arritjet që janë akoma shumë larg, një vit është pak mendoj që është më shumë sesa kaq. Duhet të ulemi dhe të bëjmë një plan dhe një strategji afatgjatë.

Por kjo nuk bëhet duke gëzuar veten, duke thënë ato që nuk janë edhe të vërteta për qytetaret, se e thashë siç e kam aksesuar unë këtë është një klikim larg. Por është duke u ulur dhe duke punuar me përgjegjësi, dhe unë shfrytëzova këtë rast se mendova është më i miri për të folur edhe me qetësi por edhe me këmbë në tokë për atë që duhet të jetë padyshim e ardhmja e Shqipërisë dhe që shqiptarët e duan.