Ambasadorja Vlahutin: Të pajtohen Rama-Basha dhe prapë pazar!

Shqipërinë e pret një vit shumë i vështirë përpara dhe nëse ajo do t’ja dalë mbanë dhe të hapë negociatat në qershorin e 2019, atëherë një marrëveshje politike Rama- Basha është e nevojshme.

Ishte ky mesazhi i ambasadores së BE-së Romana Vlahutin, gjatë tryezës së mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi konkluzionet e dala nga Evropa javën që lamë pas. Diplomatja e BE-së tha se integrimi nuk është për njerëz që kanë programe apo axhenda të fshehura, ndërsa shtoi se bashkëpunimi mes maxhorancës e opozitës duhet të jetë real.

“Do të keni një sfidë të madhe dhe kjo është politika. Ky proces kërkon që të ketë bashkim, jo bashkim retorik, jo bashkim në kuptimin e të folurit për objektiva të përbashkëta. Duhet të jetë një objektiv i mirëfilltë kombëtar, për të cilën punon gjithkush.

Integrimi Europian nuk është për njerëz që kanë programe apo axhenda të fshehura. Është me rëndësi që të punohet për këtë unitet. Është përgjegjësi qoftë e shumicës dhe e pakicës. Mendoj se shumica duhet të shtrijë dorën gjithë kohën, sepse është e rëndësishme të krijojë një dialog për këtë bashkim kombëtar sepse pa këtë ky është një proces shumë i vështirë, thuajse i pamundur.

Vendet e BE kanë njohur atë çfarë keni bërë dhe kjo mendoj se është e rëndësishme. Ka një grup jashtë mase të madh vendesh që ishin të bindura se reformat e kryera në këtë vend kanë arritur fazën ku ju mund të ecni përpara. Pra duhet që tu provoni që kanë të drejtë. Ka edhe pak vende që janë do të thoja paksa jo skeptike, por të kujdesshme dhe ju duhet tu provoni që ajo që ju keni bërë duhet të përfitojë edhe nga mbështetja e tyre. Ata i kanë njohur reformat dhe ata e kanë njohur, por duhet të jenë tërësisht të sigurta që ajo që ndodh në Shqipëri është përtej pikës së kthimit. Pra duhet bërë shumë me shtetet anëtare. Keni shumë miq aty dhe mendoj se e vetmja gjë që duhet të ndodhë është që të përshpejtohet ky motor i reformave. Do të jetë një vit i vështirë. Një lloj konsensusi real të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha Vlahutin.