PD-ja rrëzon çdo shpresë të kryeministrit Rama për bashkëqeverisje PS-PD

Pas humbjes së negociatave me BE, qeveria e zotit Rama duket në vështirësi jo vetëm për të bindur publikun, por edhe veten, pasi pikësëpari kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati mezi e shqipton fjalën “fitore”, siç e rrotullon me mjeshtri nëpër dhëmbë kryeministri Rama.

Burime të kryeqëzuara, por siç duket me inspirim endrifugian, shpërndanë këto ditë nëpër media dhe sallone ku debatohet për politikë, se kryeministri Rama është gati për një marrëveshje të re me PD-në. Dhe sipas palës së Rilindjes, Lulzim Basha e ka pranuar ofertën sekrete të kryeministrit, por tashmë me një kusht të ri: Rama kryeministër, kurse Lulzim Basha zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Si këmbim, PD-ja merr dhe ministrinë e brendshme, pasi me këtë rast Edi Rama heq qafe edhe ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa, i cili nuk dihet se ç’lidhje ka me palën amerikane dhe sidomos FBI e DEA. Po kështu PD-ja merr edhe kryetarin e Kuvendit dhe gjysmën e qeverisë. Dhe si për ta bërë të besuar këtë ofertë të kryeministrit, pala rilindase lëshoi në eter edhe faktin se me këtë qeveri të re PS-PD, të cilën do ta quajnë QEVERI E INTEGRIMIT, vendimet do të merren me firmë të përbashkët Rama-Basha deri në vitin 2021. Ndërsa zgjedhjet vendore në 2019 do ti bëjnë sejcila veçmas, por në mënyrë të fshehtë PS-ja i jep PD-së Bashkinë e Durrësit dhe Bashkinë e Elbasanit, si dhe disa bashki të tjera. E gjitha kjo që në PD të mos sulmojnë Bashën për këtë marrëveshje të re, pas asaj të 17 majit 2017.

Një shteg të këtij hamëndësimi e lëshoi edhe ish-kryetari i PD-së deputeti Tritan Shehu, ku duke folur për televizionin publik tha se duhet një qeveri e përbashkët, por nuk specifikoi me apo pa Edi Ramën kryeministër. Të paktën kështu u përkthye paqartësia e tij. Në një farë mënyre, me zgjuarsi, një qeveri socialiste, por pa Edi Ramën, e pranon edhe kryetari i grupit të PD-së, Edmond Spaho.

Nisur edhe nga fakti i një viti me parë kur ndodhi papritur marrëveshja Rama-Basha me 17 maj 2017, dyshimet janë përhapur nëpër kampet politike, se çfarë qeverie pranon PD-ja dhe çfarë po ofron Edi Rama për të shpëtuar veten dhe mazhorancën.

Ndaj për të hedhur paksa dritë në këtë tunel të errët që ka nisur “punimet” me datë 17 maj 2017 iu drejtuam me të njëjtat pyetje nënkryetarit të PD-së zotit Edi Paloka, kryetarit të grupit parlamentar demokrat zotit Edmond Spaho, deputetit aktiv në selinë blu, Ervin Salianji dhe deputetit luftarak Flamur Noka.

Pyetjet janë:

1-A mendoni se dilet nga kriza ku e ka futur PS-ja me një Qeveri të përbashket PD-PS-LSI me mandat integrues të qartë?

2-Nëse mendoni se “PO” për pyetjen e parë, a pranon PD me kryeministër përsëri Ramën në një qeveri të përbashkët integruese?

3-Nëse “JO” për dy pyetjet e para atëhere si mendon PD-ja ta rrëzojë qeverinë dhe të sigurojë statusin e Shqipërisë në BE?

Edmon Spaho, kryetar i grupit parlamentar i PD, përgjigjet:

Përgjigje 1: Jo nuk mendoj që kjo është zgjidhja. Zgjidhja është largimi i Edi Ramës. Me të jo vetëm që nuk ka integrim, por me keq akoma nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Përpjekjet duhen bërë për të pasur një qeveri që garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe ajo mund të jetë edhe e majtë, por jo me Ramën.

Përgjigje 2-3 : Largimi i Ramës nuk duhet të jetë vetëm sfidë e PD, por e të gjithë spektrit politik dhe qytetarëve pavaresisht bindjeve, pasi me atë vendi nuk ka të ardhme. Ai solli krimin në qeverisje dhe parlament, kanabizoi vendin, po rrënon financat dhe pasuritë kombëtare në favor të klienteles së tij, 157 mijë vetë kanë kërkuar azil në Europë gjatë 5 vitëve të sundimit të tij. Në këto kushte të gjithë duhet të ngrihemi dhe t’i tregojme vendin Edi Ramës. 

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së:

Kushti i parë, për të arritur tek cilado zgjidhje është pikërisht largimi i Ramës.

Me Ramen nuk mund të ketë luftë kundër krimit të organizuar sepse ai është nyja që mban të lidhur krimin me politikën.

Me Ramen nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit sepse ai është personi që me PPP e tij e çoi korrupsionin në nivele të paprecedentë.

Me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme sepse ai as nuk e koncepton që zgjedhjet mund të zhvillohen dhe si të tilla. Gjithë historia e tij qëkur është zgjedhur kryetar i PS e deri me tani është histori manipulimesh dhe votash të blera. Ai është i vetmi politikan që nuk është testuar kurrë realisht se “sa i vlen lekura” as brenda partisë së tij e as në popull sepse kurrë nuk ka guxuar të votohet në mënyrë të drejtë e të barabartë.

Në këto kushte me Ramen nuk do të ketë asnjë hap përpara edhe në integrimin e Shqipërisë.

Prandaj në përgjigje të pyetjes tuaj ju them se qeveria antimafia e paraqitur si zgjidhje nga Fronti opozitar, mund të ketë dhe socialistë në përbërje të saj, por absolutisht Rama nuk mund të jetë më jo vetëm në qeveri, por as në politikë.

E vetmja mënyrë për të rrëzuar Ramën është rezistenca dhe përballja deri në revoltë. Një njeri që nuk njeh Kushtetutën dhe nuk lejon zgjedhje të lira, përmbyset. Përmbyset me të gjitha format dhe mënyrat . Por sigurisht kjo arrihet kur shqiptarët të ndergjegjesohen dhe mos mjaftohen  me shprehjen  e pakënaqësisë vetëm në rrjete sociale apo protesta spontane. Të gjithë ata që sot protestojnë ;nga artistët tek naftëtarët, nga fermerët te minatorët, nga të papunët tek biznesi, nga pensionistët tek profesionistët e lirë, të gjithë duhet të kuptojnë që gjithë problemet e tyre, por dhe të shqiptarëve në përgjithësi, janë të gjeneruara nga një njeri dhe zgjidhen vetem duke larguar Edvin Ramën. Asnjë rrugë tjetër nuk sjell zgjidhje, përveç bashkimit me opoziten për të larguar Ramën. 

Grida Duma, deputete e Partisë Demokratike dhe zëdhënëse e Grupit Parlamentar

Përgjigje 1: Gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria nuk është as emergjencë civile, as situatë që kërkon një zgjidhje afatshkurtër. Kushtet qe iu vunë Shqipërisë për qershorin tjetër janë të rënda. Ato lidhen me shkëputjen e institucioneve nga pushteti i krimit. Asnjë kompromis politik nuk i zgjidh problemet që shkaktojnë situatën e rëndë të vendit. Sot në Shqipëri nuk bëhet më fjalë për përplasje platformash ideologjike apo për konkurrencë alternativash zhvillimi. Sot vendi vuan nën peshën e disa personave që kanë marrë peng shtetin; koston e tyre shqiptarët duhet ta paguajnë me interesa zhvatëse dhe shkatërruese. Sot kryeministri është sa peng i krimit, aq edhe kolonë mbajtëse e një kupole kriminale. Nuk mund të ketë bashkëpunim për të gjetur një zgjidhje politike me një kryeministër kokë e këmbë të vendosur në vartësinë e interesave kriminale. Çdo pikë boje e zezë ndot ujin!

Përgjigje  2: Integrimi i Shqipërisë është një përpjekje reale që kërkon përgjegjës realë. përgjegjësi i vetëm, përgjegjësi i parë për situatën e Shqipërisë është Rama. Të shesësh shansin e humbur të Shqipërisë si një hap të mëtejshëm drejt integrimit evropian do të thotë të vësh kapakun e mashtrimit mbi një kazan të mbushur deri në grykë me dështim.

Përgjigje  3: Opozitës i takon të bëjë çdo përpjekje në këtë drejtim. E vetmja gjë pozitive në situatën e mos hapjes së negociatave me Shqipërinë qëndron në faktin se tashmë BE ka ndezur projektorët mbi Shqipërinë. Pas vendimit për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, BE ka rritur kontrollet mbi situatën e ligjshmërisë në vend. Ndihma që do të marrim nga BE do të jetë shumë e rëndësishme për të ndaluar kapjen e drejtësisë, për të siguruar transparencën  nga organet ligjzbatuese, dhe për të bërë presion për të siguruar ndëshkimin e pushtetarëve të implikuar në korrupsion dhe krim të organizuar. Opozita ka punuar fort për të qartësuar gjendjen e Shqipërisë, ka bërë denoncimin publik dhe penal të të vërtetave të rënda dhe të rrezikshme që kërcënojnë vendin, ka dhënë alternativat për zgjidhjen e krizës së reformës në drejtësi, dhe për shmangien e ngërçeve në reformën zgjedhore në vijim.

Ervin Salianji, deputet i PD:

Përgjigja 1: E vetmja qartësi për politikën sot eêshtë largimi i Ramës nga zaptimi që i ka bërë Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimit me krimin. Thënē këtë mendoj që askush nuk mund të bëhet bashkefajtor me nje kryeministër të tillë, askush nuk duhet ti japë dorë krimit por duhen ndërprerë sa më parë lidhjet e krimit me politiken.

Përgjigje 2: Në asnjë rrethanë dhe asnje mundësi e tillë nuk ekziston dhe as nuk diskutohet në PD. I vetmi që i fryn kësaj teze është Rama, i cili ka mbaruar politikisht dhe i duhen shpikje me diversantë.

Përgjigje 3: Vetë largimi i Ramës i hap rrugën Shqipërisë pêr ne BE. Lidhjet me krimin e organiziar dhe korrupsioni janë dy çështjet kryesore për të cilat nuk u hapën negociatat. Opozita do të pêrdorë çdo mjet dhe formë demokratike pêr te larguar Ramën dhe bashke me të i jepet fund një epoke pandëshkueshmerie.

Deputeti Flamur Noka:

Përgjigje: Asnjë qeveri e asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Vetëm për ta rrëzuar me çdo kusht kryeministrin.