41-vjeçari me dy gra martohet fshehurazi me vajzën 11-vjeçare

Një martesë mes një burri 41-vjeçar mysliman malajzian dhe një vajze të mitur vetëm 11-vjeçare ka nxitur një sërë reagimesh të ashpra në Malajzi dhe jo vetëm.

Che Abdul Karim që jeton në Tajlandë, u martua fshehurazi me gruan e tij të tretë që rezulton të ishte vetëm 11 vjeç. Martesa u bë e njohur vetëm pasi një nga gratë e Che Abdul Karim vendosi të flasë dhe paraqiti një ankesë në polici.

Sa i përket familjes së vajzës së mitur, prindërit e saj thanë se pranuan që vajza ende shumë e vogël të bëhej gruaja e tretë e malajzianit vetëm nëse ai do të pranonte që vajza të qëndronte në shtëpinë e tyre deri në moshën 16-vjeçare.

Ndërkohë, pas bërjes publike të ngjarjes, qeveria malajzeze tha se nuk ka asnjë regjistrim të martesës e cila ka ndodhur në Tajlandë, dhe se po bëhen hetime të mëtejshme.

Sa i përket ngjarjes së rëndë ka reaguar edhe agjencia e fëmijëve në OKB duke theksuar se kjo ngjarje ishte tronditëse dhe e papranueshme.

Përfaqësuesi i Malajzisë në Unicef, Marianne Clark-Hattingh u shpreh:

Nuk është në interesin më të mirë të fëmijës, është e papranueshme!”
Mosha ligjore për martesë në Malajzi është 18 vjeç, por gjykatat islamike të sheriatit mund të miratojnë martesat myslimane për vajzat nën moshën 16 vjeç. Gjithsesi, qeveria malajziane tha se autoritetet fetare vendase nuk kishin asnjë dokument për këtë martesë.