Luan Rama: Skandali i radhës, Biblioteka përmbytet, kryeministri kërkon para për Xhakën e Shaqirin

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama e ka cilësuar një skandal nismën e kryeministrit për të mbledhur para për të paguar gjobën e dy shqiptarëve të Zvicrës të vendosur nga FIFA.

Në një status, ai thotë Ramës nuk i intereson pse Bibioteka Kombëtare përbytet pasi janë prishur bulevardet dhe trotuaret dhe janë shkatërruar kanalizimet, por kërkon të hiqet sipas tij, patriot i madh duke mbledhur para, për të paguar gjobën e FIFA-s ndaj dy futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës, Xhakës e Shaqirit.

Por Luan Rama thotë se kryeministri nuk ka as tagrin dhe për më tepër sipas tij kjo mund të dëmtojë dy futbollistët pasi është kundër rregullave të FIFA-s. Ai i kujton kryeministrit jo vetëm bibliotekën por edhe spitalet dhe të sëmurët, fëmijët e shkollat, rrugët dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

STATUSI I LUAN RAMËS
Në Tiranë përmbytet Biblioteka Kombëtare, Kryeministri kërkon para për t’u paguar gjobën futbollistëve të Zvicrës!
Është përmbytur Biblioteka Kombëtarë! Sepse, idiotët që po shkatërrojnë Tiranën, të yshtur sa prej injorancës e po aq edhe prej makutërisë e babëzisë, duke prishur bulevardin e trotuaret, kanë shkatërruar edhe kanalizimet, e uji i shirave të ditëve të fundit, vërshoi në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, duke përmbytur e shkatërruar mijëra e mijëra libra!

Për të kuptuar dëmin e pariparueshëm, më lejoni t’ju kujtoj se shkrimtari i madh Jorge Luis Borges, ka thënë: “E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”.
Mirëpo, Kryeministrit tonë, nuk i intereson fare se ç’ndodh me Bibliotekën Kombëtare! Ai e ka hallin gjetiu!

Për t’u shitur si patriot i madh, gjithë merakun e ka se si të mbledhë para, për të paguar gjobën e FIFA-s ndaj dy futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës, Xhakës e Shaqirit, që i festuan golat e tyre ndaj kombëtares së Serbisë duke bërë shenjën e shqiponjës!
Natyrisht, me lojën, golat dhe fitoren ata na bënë të gjithëve krenarë, po Kryeministri ynë ç’punë ka që fut hundët atje ku nuk i takon?!

Mbi ç’bazë ligjore, me çfarë tagri e me çfarë statusi Kryeministri e merr një nismë të tillë?!
Xhaka e Shaqiri nuk kanë nevojë për paratë që mendon të mbledhë në mënyrë të kundërligjshme Kryeministri i Shqipërisë. Jo thjesht se aq para sa është gjoba që iu ka vënë FIFA e ndoshta edhe më shumë, ata i fitojnë vetëm në një ditë, por Kryeministri me nismën e vet, i fyen rëndë edhe ata!

Ndaj, unë jam i bindur që si Xhaka, edhe Shaqiri do t’i refuzojnë paratë që mund të mbledhë Kryeministri. Sepse, në këtë rast, ai po tallet me Xhakën e Shaqirin, e madje, edhe duke abuzuar me emrin dhe imazhin e tyre, pasi po mblidhen para për ta e në emër të tyre, përveçse në kundërshtim me ligjin shqiptar, por, edhe në kundërshtim me kontratat e futbollistëve dhe ligjet e rregullat e vetë FIFA-s!

Në Bibliotekën Kombëtare, i kanë ndehur e shpërndarë librat gjithë andej që të thahen në diell!
Por, mos prisni që Kryeministri të shqetësohet për librat dhe bibliotekën! Jo, ai po mbledh para për t’u ardhur në ndihmë Xhakës dhe Shaqirit!

Pa librat e biblioteka, spitalet dhe të sëmurët, fëmijët e shkollat, rrugët dhe cilësia e jetës së qytetarëve, kanë kohë dhe le të presin!…

Luan Rama fb