Për librin “Lutfi Ndreu, mësues dhe artist”

Sot, promovimi i librit të 12-të të publicistit dhe shkrimtarit Halil Rama

Prof.dr.Bujar KAPEXHIU, “Mjeshtër i Madh”

Kur dikush, mik i afërt apo një i panjohur që ta njeh sado pak përkushtimin e përvojën dhe sidomos gatishmërinë dhe dashamirësinë për të kontribuar në një proces krijues apo veprimtari vlerësuese, të kërkon të shkruash për një personazh të njohur, e ke të vështirë të kundërshtosh apo, për mirësjellje, të sajosh e të renditësh argumente e pengesa që ta bindësh sado pak porositësin se koha dhe detyrat e përditshme të pengojnë ta kryesh këtë kërkesë. Kështu më ndodhi edhe mua me shkrimtarin Halil Rama, kur më ofroi librin e tij të fundit. Nuk guxova për asnjë çast të ngurroja me një heshtje të gjatë, me një mbledhje buzësh, kruajtje koke apo përpëlitje qepallash e belbëzime pa kuptim, shenja këto që paraprijnë çastin e kundërshtimit. Jo! Për më tepër kur vura re faqen e kopertinës së librit, ku ishte fotografia e z. Lutfi Ndreu si dhe titulli aq domethënës “Mësues dhe artist”.
Zakonisht, në këto rrethana, ke drojën se nga e si do t’ia nisësh, ku të përqendrohesh, dilema çfarë të thuash. Mirëpo tek unë nuk ndodhi ky ortek pyetjesh, ngaqë gjëja më e lehtë dhe më e këndshme është të flasësh për mësuesin dhe artistin e aq më tepër kjo bëhet më tërheqëse kur këto dy profesione mishërohen te një njeri i vetëm. Kjo e pasuron lëndën. Nuk mund të them se edhe në këtë rast nuk m’u faneps përsëri një pyetje. E thjeshtë. Para se pena ime të prekte letrën, më erdhi pyetja: Të flas për Lutfiun, apo për librin? Më e lehtë dhe më e arsyeshme ishte ajo që ndjeva brenda vetes: të flas për të dy! Pra, po filloj me Lutfiun. E kam njohur Lutfiun shumë vonë, në veprimtari të ndryshme që kemi organizuar me komunitetin dibran. Një burrë me fytyrë të prerë, flokë të dendur, që me buzëqeshjen e çiltër dhe shkëlqimin e syve shoqëron shtrëngimin e dorës dhe përkuljen tradicionale burrërore, me pjesën anësore të ballit prek atë të tjetrit në çastin e përshëndetjes. Në çdo pyetje që i bën të përgjigjet shkurt, qartë, me butësi dhe i gjithë ky angazhim është i ambalazhuar bukur me modesti. Që në takimin e parë e ndien që ke përballë një njeri fisnik, të shkolluar, që di të komunikojë me delikatesë, duke shprehur dashamirësinë pa e kursyer buzëqeshjen dhe respektin për bashkëfolësin. Këto karakteristika të natyrës së tij, të fiksuara nga unë që në çastin e parë të takimit, më kaluan si në një sekuencë filmi sapo vështrimin e përqendrova te kopertina e librit dhe njoha Lutfi Ndreun… Aq më tepër që me mbiemrin Ndreu kam shumë njohje e miqësi letrare, artistike, familjare e shoqërore. Kurioziteti më shtyu më tutje për t’u futur nëpër faqet e librit. Humba midis tyre dhe e kapa veten në befasi, sikur po ecja në një sallë rrethuar me mure të larta, mbi faqet e bardha gjenden të varura shumë fotografi. Në to janë të fiksuara pamje të vetëm një personazhi në mjedise të ndryshme, i rrethuar nga shumë njerëz të njohur e të panjohur, nëpër veprimtari pedagogjike dhe artistike. Diku me pamje të përgjithshme e diku tjetër ky personazh i vetmuar, herë bardhezi e herë me ngjyra, që vepron e flet me natyrshmëri e sinqeritet për gjithçka kërkon misioni i mësuesit dhe i artistit. Këtë sallon artistik dua ta përshkruaj shkurt. Sallon plot me fotografi të realizuara nga “fotografi” Halil Rama, që me aparatin e tij të cilësisë së lartë e ka fiksuar personazhin e tij qysh në fëmijëri e në rini, mësues e prind, artist e qytetar. Ndoshta fjala “fotografi” duket paksa e jashtme, e ftohtë, statike, por konstatova që “aparati fotografik” i Halilit është krejt ndryshe nga ata të markave të tjera, sepse aty nuk gjen vetëm pamjen e jashtme, konturet apo tiparet e ngurta të personazhit, por gjen dhe ndien analizën e hollësishme, të brendshme e dinamike me mendimet, idetë, pasionin, emocionin e dashamirësinë e mësuesit. Gjen shpirtin, gjallërinë dhe origjinalitetin e artistit, fisnikërinë e seriozitetin e qytetarit, dashurinë e përkushtimin si prind, çiltërsinë e besnikërinë si mik, dhe korrektesën si shok apo koleg. Ai lexues që do të shfletojë faqet e këtij libri ka të drejtën dhe besueshmërinë që të thotë pa droje se ka vizituar një sallon fotografik ku ka parë, e jo vetëm kaq, por edhe ka ndier e ka prekur figurën e një personazhi me vlerë e bashkë me të ka kaluar nëpër të gjitha shtigjet ku ndër vite ky personazh ka hedhur hapin e tij herë energjik e herë të lodhur, por gjithnjë optimist e tejpamës për jetën dhe misionin e tij. Ndoshta nuk është çudi që edhe lexuesi të ndihet i ulur në bankën e klasës e të ndjekë zërin e plotë e të ëmbël të Lutfiut mësues në shpjegimin e mësimit dhe herë pas here të shohë nga afër me sytë e tij sesi ky mësues vendos dorën mbi kokën e nxënësve e shpupuris me përkëdheli flokët e pakrehur të këtyre vocërrakëve që vijnë nga larg, në shi e në dëborë, me duart e skuqura nga të ftohtit, për të mbushur vijat e fletores me germat magjike të gjuhës që flet mësuesi, prindërit, fshatarët e ata vetë.
Humori, siç thuhet, është privilegj i të mençurve dhe brenda shpirtit e mendjes së Lutfiut bën që ai gjithnjë, në çdo takim a bisedë me miq e shokë, të jetë i ngrohtë, befasues, i mençur dhe gazmor. Jo vetëm për vete. Gëzimin, harenë e të qeshurën ai ua dhuron edhe të tjerëve, e përcjell atë me shpirtmadhësi, sepse ndien që gëzimi, hareja, e qeshura e të tjerëve e kënaq dhe e ngazëllen edhe atë vetë. Aq më tepër kur ndien origjinalitetin dhe krenarinë që në shumë raste është ai shkaktari, udhërrëfyesi dhe shpërthyesi i atmosferës gazmore. Buzëqeshja nuk mungon kurrë në portretin e Lutfiut kur ai bisedon me të tjerët, qofshin cilëtdo, miq, shokë, të njohur apo të saponjohur, pleq a fëmijë. Buzëqeshja e Lutfiut shoqëron rrugëtimin e çdo bisede, arsyetim për çdo problem e jo rrallë, me modestinë e fisnikërinë e tij, ai edhe vërejtjen apo kritikën e shoqëron me buzëqeshje, që tjetrit të mos i vijë e rëndë, e ashpër, e papranueshme e kundërshtuese. Pikërisht kjo e bën Lutfiun të jetë serioz me buzëqeshjen e tij. Personalitet me shpirt të lirë, që me humorin e mençur gjen hapësirën e merituar të mikpritjes në shoqërinë dibrane. Dihet nga të gjithë, tashmë vetë jeta na e ka vërtetuar se njerëzit me shpirt të mirë, fisnikë e dashamirës, gazmorë e hokatarë kanë të rezervuar një vend të veçantë e janë të mirëpritur në shoqëri në çdo mjedis, në çdo tavolinë, në çdo Odë. Prandaj jam i sigurt se, sipas zakonit e traditës së Odës Dibrane, Lutfiu në këtë moshë me siguri e ka vendin në krye të Odës, në qoshe të oxhakut, rrethuar nga miq e shokë, ku të gjithë presin që biseda të nisë me fjalën e tij. Lutfiu nuk heziton, por me korrektesë, me përkushtim e vërtetësi është i gatshëm të japë mendime e vlerësime për figura të ndryshme dibrane që kanë një vend të veçantë në altarin e historisë së Dibrës. Këtu kujtoj shkrimin vlerësues për Mjeshtrin e Madh Hazis Ndreu, në librin tim “Burri i Odës Dibrane”. Këtu gjej rastin ta falënderoj zotin Lutfi Ndreu për ndihmesën që ka dhënë me shkrimin e tij për plotësimin e figurës së mikut, mësuesit, kolegut dhe udhërrëfyesit të tij. Nuk dua të përmend shumë episode interesante nga jeta, gazmore apo të trishtuara, situata të thjeshta apo të ndërlikuara, batuta të mençura plot humor, sepse dua të ruaj kuriozitetin e lexuesit dhe vlerësimin e plotë për Lutfiun dhe për Halilin, që ka ditur të përshkruajë me mjeshtëri e të rendisë në mënyrë logjike dhe artistike përgjatë gjithë rrjedhës së përshkrimit të këtij subjekti origjinal.
Struktura kompozicionale e renditjes së fakteve është bërë në mënyrë kronologjike, gjë që ndihmon të ndjekësh me lehtësi rrugën që ka bërë vetë personazhi gjatë jetës së tij. Në këtë mënyrë lexuesi bëhet bashkudhëtar me personazhin, duke njohur vendlindjen e duke rrugëtuar më tutje në fëmijëri, rini, jetën ushtarake, mësuesinë dhe kontributin letrar dhe artistik. Me një gjuhë të thjeshtë, pa “kaçurrela” artistike, pa figura të stisura, të cilat e sforcojnë dhe mjegullojnë natyrshmërinë dhe thjeshtësinë e vetë karakterit dhe jetës së personazhit, autori ka marrë përsipër ta përshkruajë atë me pasion, përkushtim, respekt e mirënjohje. Aty ku shkrimtari është i ftohtë e racional në shtjellimin historik të fakteve, pikërisht aty, në vazhdimësi, bëhet emocional me ndërhyrjen e rrëfenjave të Lutfiut, që përshkruan aq bukur si tregimtar me origjinalitet ndodhitë me shokët, me familjarët në shtëpi, në zyrë, në repart, në shkollë apo në grupet artistike. Pikërisht kjo ndërthurje tregimtar-personazh i jep shkrimit larmi dhe lexuesi e merr informacionin parapërgatitës nga autori Rama. Dhe më tej në lexim ndihet fare afër personazhit Ndreu me batutat, veprimet dhe emocionet e rastit. Kjo formë e servirjes së lëndës është si ajo metoda e amvisave dibrane që, para se të pjekin pulën, i japin një valë dhe më pas e futin në furrë, duke qenë të sigurta që mishi do të dalë me ngjyrën e kuqërremtë, më i butë e më i shijshëm dhe do përtypet më me lehtësi, duke ndier kënaqësinë e artit kulinar. Kështu edhe lexuesi, me këtë stil të të shkruarit, do të “përtypë” paragrafët e këtij libri duke shijuar e ndier kënaqësinë e artit të të shkruarit të “gatuesit” Rama. Interesante janë në faqet e këtij libri çastet humoristike me batuta, ndodhi, fakte apo histori gazmore, me anë të të cilave i jepet lëndës një vërtetësi jetësore, duke theksuar këtë veçori të rrallë të personazhit, që me humor krijon atmosferë gazmore në shoqëri e në familje, duke mos lënë mënjanë aftësinë e pasionin për të krijuar humor me shkrimet e tij, si në shtypin e kohës ashtu edhe në repertorin e Estradës së Dibrës. Lutfiu bën humor, ai është serioz sepse qesh kur duhet, ku duhet dhe sa duhet. Të tria këto “kur”, “ku” dhe “sa” e bëjnë njeriun serioz edhe pse qesh. Një cilësi tjetër e shkrimit, e veçantë dhe e pakursyer në këtë libër, është përmendja me emra e të gjithë njerëzve që kanë bashkëpunuar me Lutfiun. Shokë e shoqe, kolegë arsimtarë e artistë, apo dhe personazhe të tjerë që i ndeshim në udhëtimin e bëmat e Lutfiut nga njëra zyrë te tjetra, nga një fshat i afërt në tjetrin më larg, civil e ushtarak, epror apo vartës, të gjithë me emër e mbiemër, duke e bërë tregimin më të besueshëm e më të dokumentuar, duke u dhënë edhe të tjerëve kënaqësinë si dëshmitarë pranë këtij qytetari të mirë, të mençur e fisnik.
E theksova qysh në fillim të kësaj hyrjeje se të shkruash e të flasësh për personazhe të këtillë nuk është e vështirë, sepse ke çfarë thua. Është njëlloj sikur të peshkosh në një rezervat peshku, ku peshqit përplasen me njëri-tjetrin, kush e kush të kapë më parë grepin. Kështu edhe në penën e Halilit, germa, fjalë, fraza e paragrafë të tërë, njëri pas tjetrit, madje edhe duke u shtyrë kush të zinte majën e penës që të rreshtohej në faqen e librit. Dhe Halili, si nikoqir i mirë ka ditur me mjeshtëri të rreshtojë më të bukurat fjalë, më të vërtetat mendime, më të saktat argumente, më të rrallat e më të ndjerat emocione, për të fiksuar në tablonë e tij jo vetëm bardhezi, por me ngjyrat më të këndshme figurën e Lutfiut.
Unë e kam thënë dhe e kam përsëritur shpesh, ndoshta edhe e kam tepruar, por po e them haptas, pa modesti, se më pëlqen gjetja që … “nuk është e rastit që fjala Dibër rimon bukur me fjalën Libër”. Ja, pra, edhe kjo vepër e Halilit, si shumë të tjera krijime të tij, përforcojnë dhe e bëjnë legjitim kombinimin Dibër-Libër. Në bibliotekat tona, në rreshtin e gjatë të librave radhitet edhe një tjetër. Interesant, origjinal e dinjitoz. Por nuk është vetëm kjo. Më e rëndësishmja e më e pëlqyeshmja është se në rreshtin e gjatë të njerëzve me vlerë, dibranëve të rrallë, që njëri pas tjetrit hedhin hapin e tyre në rrugë e lavdisë së Dibrës, shtohet edhe një personazh, një qytetar, që ia ka kushtuar jetën, punën, dijen dhe shpirtin kësaj toke që ka historinë më të lavdishme se cilado tjetër. Le të kalojë ky libër në duart e fëmijëve dhe nipërve tanë, që nëpërmjet faqeve të tij të njohin historinë, njerëzit, punën, sakrificat dhe triumfin e së mirës, e së bukurës, fisnikërisë dhe atdhedashurisë.