Negociatat në 2019, Ruçi: Vend për festë nuk ka, duhet bashkim

Shtyrja e çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë për qershorin e ardhshëm, është kryefjala e debatit politik. Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, foli për hapjen e negociatave të Shqipërisë si dhe vendimet e Këshillit Europian që duhet të ndjekë Shqipëria në përmbushjen dhe ecurinë e këtij procesi.

I pyetur nga gazetari i “Koha Jonë” Redjon Shtylla, se a është e logjikshme euforia dhe festa e qeverisë, kur në fakt nuk ka firmë për negociatat, kreu i kuvendit u shpreh se që në fillim të herës ai ka thënë se nuk ka vend për festë.

Dhe pyetjes tjetër, se nëse Maxhoranca duhet të jetë e përulur dhe më bashkëpunuese me Opozitën, e që të mos tregojë forcë, z.Ruçi, nënvizoi se nuk është koha për të ulur kokën, si nga ana e maxhorancës apo dhe opozita, por se duhen bashkuar forcat dhe energjitë derisa Shqipëria të arrijë anëtarësimin në BE.

KJ: z.Ruçi, a është e logjikshme të bëjmë festë, kur nuk ka firmë për negociatat?

Unë nuk shikoj se ku është festa. Nuk kam parë asgjëkundi shampanjë, këngë valle, përkundrazi edhe në fjalën që unë parashtrova në mënyrë shumë realiste, thashë ça kam bërë parlamenti dhe radhita një program pune se çfarë do të bëjë parlamenti deri ditën që do të mblidhet Këshilli Europian, kështu që edhe kur ka dalë raporti i Komisonit Europian, nëqoftëse më keni ndjekur në seancë plenare kam thënë: Vend për festë nuk ka, duhet të fillojmë menjëherë nga puna, dhe sot këtu jam pikërisht për të filluar nga puna.

KJ: A do të ishte mirë sikur Maxhoranca të jetë në këtë rast më e përulur dhe bashkëpunuese me Opozitën dhe të mos tregojë forcë?

Lidhur me atë që ju thatë, që maxhoranca që rrijë kokë ulur, nuk mendoj që as maxhoranca e as minoranca nuk duhet të mbajnë kokën ulur, përkundrazi kjo është një fitore e të gjithëve, është një fitore për të gjithë. Të gjithë duhet të bashkojmë mëndjen, forcat, energjinë, të ndryshojmë sjelljen, të ndryshojmë qasjen për të përbashkuar dhe për të realizuar e për të bërë realitet objektivat dhe detyrimet që kemi ne, jo vetëm deri në qershor, por deri në momentin e anëtarësimit.