Mehmetaj: Me shembjen e Teatrit, do të fillojë edhe epoka e re e sundimit “Rama”. Të reagojmë!

Lëvizja Socialiste për Integrim del hapur kundër projektit të qeverisë për prishjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, duke u bërë pjesë e fushatës së mbledhjes së firmave për peticionin kundër projektligjit të depozituar në Kuvend.

Deputetja e LSI-së teksa poston në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, dhe aplikacionin për nënshkrimin e peticionit, thekson godina kërkohet të shembet, sepse kryeministri kërkon të fitojë një shumë të madhe parash pa u lodhur.

Me shembjen e Teatrit Kombëtar, thotë Mehmetaj, do të fillojë edhe epoka e re e sundimit “Rama”.

Reagimi i deputetes Kejdi Mehmetaj: 

Kam qenë çdo ditë në protestën për mbrojtjen e Teatrit! Jo vetëm këto ditë, jo vetëm këtë muaj, por qysh prej fillimit të vitit kur artistët bën të ditur për publikun se Teatri ynë do të shembet që Kryeministri të fitojë një grusht të mirë parash pa u munduar fare. Jo vetëm duke dalë në sheshin e protestës, por duke luftuar me çdo mjet që ma ofron detyra dhe ndërgjegjja qytetare. Pas muajsh rezistence nga publiku, me një akt antikushtetues, Kryeministri po përdor deputetët e mazhorancës për të legjitimuar makutërinë e tij, tani që nuk egziston më as Gjykata Kushtetuese si i vetmi institucion garantues i respektimit të Kushtetutës. Çdo kush që e ka marrë lehtë gjithë këtë mesele, apo e ka trajtuar si një tjetër luftë politike, apo luftë mbi identitetin e një godine, po gabon thellë. Me shembjen e Teatrit Kombëtar do të fillojë edhe epoka e re e sundimit Rama, e cila në mos qoftë si e diktatorit Hoxha, me siguri do të jetë njësoj me atë të një sulltani oriental të gjithë pushtetshëm. Pasi kaluam fazat e: Kriminalizimit të vendit; Mbjelljes së varfërisë; Largimit të të rinjve dhe intelektualëve; Vrasjes së votës së lirë; Shkatërrimit të biznesit familjar; Degradimit të sistemit arsimor; Izolimit nga vendet e tjera (mos çelja e negociatave); Rradhën e ka shkatërrimi i Identiteti Kombëtar dhe krijimi i kultit të “Liderit”. Uzurpimi i pronës publike, duke izoluar kështu çdo tentativë mbrojtëse, për të përfunduar tek marrja e pronës tonë private. Dhe si për të mos mjaftuar, ka nisur ndërkohë një luftë e ftohtë klasash, ku me metoda moderne, qytetarët intelektualë janë vendosur të asgjesojnë njëri -tjetrin nën dirigjimin e vasalëve të Edi Ramës. Të nderuar qytetarë, Mos u gënjeni nga hartimet, mos u marrosni pas publiciteti, mos u habisni pas iluzionistëve, që përpara syve ju vendosin fidanët e fasadat, e pas ju rrjepin me taksa, ju zhvasin e ju lënë pa dije. Teatri Kombëtar nuk është thjesht një godinë e re apo e vjetër, është pengesa e fundit drejt diktaturës. Nuk janë vetëm milionat e eurove që do të fitohen nga “Fusha” për ti shkuar në xhep “Malit”(Edi Ramës), por shkalla e fundit drejt plotfuqishmërisë. Reagoni sot, nesër do të jetë vonë! Nga forca juaj, e qytetarëve duhet të ketë frikë çdo pushtetar dhe jo e kundërta! Nëse vërtet doni që Shqipëria të bëhet dhe fëmijët tuaj të rriten në një vend demokratik, të stabilizuar e me prosperitet, ndaleni sot këtë diktator të ri. Sot dhe çdo ditë në orën 19:00 eja në Teatër! Sot dhe çdo ditë dil në rrugë dhe protesto! Sot dhe çdo ditë kërko llogari! Shqipëria është e shqiptarëve, jo e diktatorëve.