Klevis Balliu: Shteti po mbron eurot e Taulant Ballës

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ka reaguar sot ndaj akuzave të Sekretarit të PS-së, Taulant Balla për lidhje të Lulzim Bashës me personat që transportonin 3.4 milionë euro.

Në një reagim në Facebook, Balliu thotë se Policia e Shtetit nuk po arreston personat e shpallur në kërkim, për të mbrojtur Taulant Ballën.

“Policia po mbron të kërkuarit për transportin e 3.4 milionë eurove, para droge, sepse ata janë të lidhur me Taulant Ballën. Po të kishte lidhjen më të vogël me kryetarin e PD, siç e akuzon Balla në mënyrë qesharake, ata jo vetëm që do të ishin në pranga, por do të ishin gjykuar tashmë. Lënia e tyre në liri, në fakt tregon qartë se Policia dhe të gjitha strukturat e tjera po mbrojnë Taulant Ballën, në vend të zbulimit dhe goditjes së bandës që priste 3.4 milionë euro.

Garantuesi i transportit të parave të drogës është Taulant Balla dhe ai nuk mund të fshihet pas fotosh për përfshirjen e tij në këtë afere kriminale”,- deklaron Klevis Balliu.