Gjosha: Negociatat ishin emergjente, por Rama na dha një të ardhme të errët

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Klajda Gjosha shprehet e keqardhur për diskutimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me përgjigjen negative të Brukselit për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Për ish-ministren e Integrimit, Kuvendi është kthyer në Tempullin e mashtrimeve qeveritare, ku sipas saj, Rama po ushqen iluzionin e hapjes imagjinare të negociatave vetëm prej nevojës prej jetë a vdekje të mbajtjes së pushtetit me çdo kosto, edhe me koston e mashtrimit të qytetarëve.

Reagimi i plotë i deputetes Klajda Gjosha

Sa keqardhje kam ndjerë sot në Kuvendin e Shqipërisë, në atë që do duhej të ishte Tempulli i Demokracisë dhe që është kthyer në Tempullin e mashtrimeve më të mëdha që ky vend ka dëgjuar ndonjëherë!

Sa keqardhje për ata që drejtojnë këtë vend dhe që janë kyçur brenda delirit të madhështisë, paprekshmërisë dhe arrogancës.

Sa keq për një popull që ka vuajtur kaq shumë, që ka besuar ndër vite te politika shpesh herë dhe qorrazi duke shpresuar se ky vend do të jetë një ditë një vend normal, ku fëmijët e tyre të rriten të lumtur, të sigurtë dhe me vlera evropiane siç janë gjithë shqiptarët në shpirt!

Sa keq të ushqesh iluzionin e hapjes imagjinare të negociatave vetëm prej nevojës prej jetë a vdekje të mbajtjes së pushtetit me çdo kosto, edhe me koston e mashtrimit të qytetarëve të tu!

Sa keq të shuash ëndrrën e milionave shqiptarëve që besojnë në perspektivën europiane dhe që ishte jetike për ta për të ndërtuar Shqipërinë e lirë, Shqipërinë e drejtë e demokatike!

Debati për integrimin nuk mund të jetë personal, qeveritar apo partiak. Ky është dhe duhet të jetë debat kombëtar sepse e tillë është nevoja e këtij kombi për t’i rezistuar dhe bërë ballë luftës me krimin, korrupsionin, shtetin e pa drejtë, tryezës së varfër të çdo shqiptari që punon për mbijetesë!

Negociatat ishin emergjente për Shqipërinë, por në vend të tyre qeveria na dha një të ardhme të errët, pa drejtim dhe mbi të gjitha pa shpresë!

Shqipërinë, rilindja po e lë me 13 kushte të shtuara, po e lë me mijëra azilkërkues që ende janë në dyert e vendeve anëtarë dhe që tashmë duhet të gjejmë një zgjidhje emergjente para se të jetë shumë vonë, para se të kemi rikthimin e vizave. Sot vendi ka nevojë emergjente për një reformë zgjedhore ku vota e çdo qytetari numërohet njësoj. Sot klima e biznesit është e shkatërruar dhe kthimi i besimit te investitorët është një sfidë kombëtare. Sot nevoja pë një drejtësi të pavarur është kthyer në domosdoshmëri thuajse jetike për qytetarët. Sot lufta ndaj krimit duket si një luftë me mullinjtë e erës pasi krimi është në kupolën e këtij shteti. Sot prindërit që rrisin fëmijët në këtë vend kanë frikë nga e nesërmja!

Edhe sa kushte të tjera do duhet të na vendosë Evropa për t’u zgjuar të gjithë bashkë dhe për t’i thënë ‘stop’ kësaj masakre kombëtare?!