Bushati: Opozita e sheh Shqipërinë të rrethuar nga armiqtë, KE dha vlerësim pozitiv

Opozita e ka zhvendosur debatin e këtyre ditëve të fundit, shtyrjen e negociatave për Shqipërinë në sallën e Kuvendit, ndërsa nuk ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Ky i fundit iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, duke sqaruar edhe njëherë vendimin për Shqipërinë që u mor në Luksemburg. Ai tha se sjellja e opozitës është një shfaqje e shëmtuar që mund të tregojmë tek Brukseli dhe Parisi, por edhe tek shqiptarët. Po ashtu ai tha se Këshilli Europian iu përgjigj pozitivisht rekomandimit, ndërsa shtoi se caktoi edhe datën për çeljen e negociatave.

“Ju vijuat me sjelljen tuaj dhe akuzat. E shihni Shqipërinë të rrethuar nga armiqtë. Sapo dëgjoja kryetarin e PD dhe kryetarin e grupit të PD, më bëri përshtypje se nuk e kuptoj se për çfarë e keni këtë debat? Për kë e keni këtë debat? Për të na mbushur mendjen se si e shihni ju Shqipërinë. Kjo është shfaqja më e gabuar që ne mund t’i organizojmë jo vetëm Brukselit, apo Parisit, por qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi. Cilat janë mesazhet? Këshilli i përgjigjet pozitivish rekomandimit për Shqipërinë. Mesazhi i dytë; këshilli përcakton datën, vitin 2019 për çelen e negociatave. Mesazhi i tretë; këshilli përcakton punën përgatitore për momentin e bisedimeve për anëtarësim. Këshilli vlerëson të gjitha reformat që ka ndërmarrë Shqipëria nga 2016-ta dhe deri në 2018-ën.