Shtyrja e negociatave, Vlahutin: Jam e lumtur, fituam 3 gjëra

Shtyrja e negociatave për hapjen e kapitujve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se ka bërë të lumtur ambasadoren Romana Vlahutin, e cila e ka thënë troç këtë gjë ditën e sotme.

E pyetur nga gazetarët, Vlahutin është shprehur se Shqipëria fitoi në tre aspekte, nga shtyrja e negociatave.

Këto fitime ishin:

Njohja e rekomandimit e të gjithë punës dhe reformave që janë bërë
2. Kalendar i qartë. Një datë shumë të qartë për konferencën ndërqeveritare.
3. Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka bërë që Komisioni të nisë punën përgatitore, e cila është mjaft e madhe dhe kërkon kohën e saj.

Më tej Ambasadorja tha se kur të mësoj detaje, në momentin që do t’i marr vesh, do t’i ndaj me ju.

E pyetur nëse do të hapen negociatat në qershor të vitit 2019, Vlahutin u tregua diplomate në dhënien e përgjigjes.

“Ky është kalendar dhe do të dëgjoni më tej për këtë nga ambasadori i ardhshëm, por ky është kalendari. Nuk mund të flas për këtë paraprakisht, por ky është një kalendar i qartë dhe për BE tregon që ka angazhim për këtë datë. Ne jemi të lumtur, si delegacion”, u shpreh Vlahutin.