Gjosha: Pse qeveria nuk duhet të jetë në delir për negociatat me BE-në

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjoshaj e quan dështim vendimin për negociatat e Shqipërisë me BE dhe për më tepër sipas saj të festosh për dështimin do të thotë të mos kesh respekt për vendin dhe qytetarët.

Gjosha ofron një këndvështrim të këtij vendimi dhe kushteve të vendosura për Shqipërinë nga Këshilli Europian. Ajo thotë se për vendin do jetë më e vështirë tani kur kërkohet ratifikimi i vendimit të negociatave nga parlamentet e vendev e anëtare.

Sipas Gjoshës, konkluzionet janë një kambanë alarmi për të gjithë ne dhe është detyra jonë të bëjmë transparencë për qytetarët shqiptarë.

STATUSI I GJOSHËS

Kam që nga dita e djeshme që ndjek me vëmendje reagimet e qeverisë mbi çështjen e negociatave të Shqipërisë. Çdo gjë mund të kuptoj por të festosh për dështimin do të thotë të mos kesh respekt për vendin tënd, për qytetarët e tu!

Për të gjithë ata që mund të bëjnë një analizë realiste mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe për gjithë institucionet përgjegjëse dhe koordinuese, dëshiroj t’ju sjell në vëmendje se cilat janë pikat kyçe të raportit:

1. Shqipërisë nuk i janë çelur negociatat, përkundrazi ky do të jetë një vit i vështirë për të plotësuar 13 kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian.

2. Për herë të parë në historinë e këtij procesi, Këshilli kërkon ratifikimin e vendimit të negociatave nga parlamentet e vendeve anëtare, para se ai vetë të japë vendimin. Këtë praktikë e ka pasur ligjërisht vetë Gjermania dhe më pas e praktikoi edhe Holanda. Sot kjo është e hapur për të gjithë parlamentet. Kjo e bën thuajse të pamundur një vendim pozitiv për negociatat edhe gjatë vitit 2019.

3. Kushti më kryesor që i është vendosur Shqipërisë përveç krimit të organizuar, korrupsionit dhe drejtësisë, është çështja e azilkërkuesve dhe mundësia e vendosjes së mekanizmit të vizave. Këshilli i tërheq vëmendjen Komisionit Evropian, duke kërkuar një raport të posaçëm mbi këtë çështje.

Këto konkluzione janë një kambanë alarmi për të gjithë ne dhe është detyra jonë të bëjmë transparencë për qytetarët shqiptarë, të cilët gjëja e fundit që kanë nevojë është mashtrimi dhe e pavërteta.

Perspektiva e tyre europiane nuk mund të mbetet peng i delirit dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie!