Ministri Gjiknuri në SHBA me ftesë të Sekretarit të Shtetit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri Gjiknuri është “i ftuar nga Sekretari i Shtetit Michael Pompeo dhe Sekretari për Energjinë Rick Perry, për të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Gazit që mbahet në Washington”,- njoftoi sot zyra e shypit e Ministrisë së Infrastrukturës.

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Gjiknuri u prit në një takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja për Energjinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, zonja Sandra Oudkirk. Në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë ashtu sikurse për sigurinë energjitike të Shqipërisë dhe rajonit.

Një vëmendje e veçantë ju kushtua ecurisë së projektit të Korridorit Jugor të Gazit me fokus tek gazsjellësi Trans Adriatik (TAP). Zyrtarja e lartë amerikane vlerësoi punën e qeverisë për menaxhimin e këtij megaprojekti të rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës dhe me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, Shqipëria tregoi se di të menaxhojë investime serioze të huaja duke e konsideruar këtë një rast suksesi. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social Twitter pas takimit, Oudkirk nënvizon se falënderoi Ministrin Gjiknuri për mbështetjen e fortë që Shqipëria i ka dhënë projektit të gazsjellësit TAP, si një projekt me rëndësi për diversifikimin e furnizimit me gaz të Evropës Jugore.

Në takimin mes Gjiknurit dhe Oudkirk u fol edhe për ndihmën që do të japë SHBA në fushën e hidrokarbureve duke orientuar institucionet shqiptare për një regjim ligjor më bashkëkohor, përfshirë dhe çështjet fiskale të sektorit hidrokarbur. Pritet që në Shqipëri të vijë një ekip ekspertësh për mbështetje të kësaj refome.

Në takim u trajtua dhe rëndësia e projektit IAP dhe nevoja për mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zonja Oudkirk theksoi edhe njëherë mbështetjen e administratës amerikane për reformat dhe hapat e hedhura nga Shqipëria duke e bërë vendin një shtyllë të stabilitetit në rajon dhe një aleat të çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Gjiknuri vazhdon takimet në kryeqytetin amerikan me përfaqësues të lartë të administratës Trump dhe kompani globale në fushën e energjetikës. Në Konferencën Botërore të Gazit marrin pjesë kompanitë më të mëdha si Chevron, ExxonMobil, Qatar Petroleum, BP, Total, ConocoPhillips, SHELL etj.