Në vitet ’20, kur Shqipëria cilësohej “babiloni monedhash”!

Deri në momentin e emetimit të monedhës kombëtare Shqipëria është konsideruar një “babiloni” sa i përket monedhave të huaja që qarkullonin në vend e që përdoreshin për shkëmbimet tregtare apo detyrimet tatimore.

Pas shpalljes së pavarësisë, në Shqipëri fillimisht përdoreshin masivisht lirat osmane. Marrëdhëniet me kartëmonedhat ishin të pakta për faktin se perandoria nuk kishte emetuar para në letër, me përjashtim të atyre që njiheshin si KAIME e që krijuan konfuzion në përdorim në popullatë ndaj edhe u hoqën nga qarkullimi. Kaimet e emetuara në vitin 1830 ishin në fakt disa dëftesa me vlerë, të shkruara me dorë.

Në vitin 1912, për t’i dhënë fund konfuzionit të krijuar, perandoria vendosi të shtojë monedhat e vogla e që përdoreshin më shumë në popull. Ashtu si në vendet e tjera të perandorisë, në Shqipëri në 1912 ishin në qarkullim 25 lloje monedhash. Nga këto 25 lloje monedhash, ato 5 lirëshe, gjysëm lire e çerek lire pothuajse kishin si qëllim vetëm përdorimin e tyre për stoli për gratë më shumë sesa për shkëmbime, ndaj u vendos që të mos emetoheshin të reja.

Këto monedha qarkulluan për shumë kohë në vendin tonë dhe madje u bënë edhe më të larmishme gjatë Luftës së Parë Botërore ku ushtri të ndryshme të huaja ishin prezente në Shqipëri.

Krahas lirave osmane, në këtë periudhë në vend përdoreshin gjerësisht lirat italiane, koronat austriake, dhrahmitë greke, frangat franceze apo edhe dollarët amerikanë, të cilët ishin thuajse të vetmet para letre në qarkullim.

Monedhat e huaja, pavarësisht luhatjeve që kishin në vlerën e tyre , gëzonin besimin e madh në popullatë si rrjedhojë e metalit nga i cili përbëheshin (ar ose argjend)

Nga mungesa e kursit bazë, të gjitha monedhat regjistroheshin zyrtarisht si në të ardhurat ashtu edhe në shpenzimet e shtetit.  Kjo gjendje kaotike do të vazhdonte deri në vitin 1920 kur me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 6 maj u vendos për herë të parë nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar (unioni monetar latin).

Në vitin pasues 1921 e si rrjedhojë e masës së sipërpërmendur u bë hapi i parë i përmirësimit të kompleksitetit të qarkullimit monetar të monedhave të huaja në vend duke i kthyer në franga ari në bazë të kursit zyrtar që caktohej kohë pas kohë prej qarqeve të vendit. Kursi zyrtar kishte si bazë këto monedha metalike prej ari: lira stërline për 25 franga ari, lira osmane 22 franga ari dhe napoloni 20 franga ari. Mbi kursin që caktohej bëhej edhe një zbritje fikse 10 % për kartëmonedhat e ndryshme, përveç dollarit amerikan dhe gjithashtu një zbritje 5 % për monedhat metalike të argjendit korona sermi.

Ky unitet monetar kishte fuqi ligjore dhe shërbeu si bazë për të gjitha veprimet publike e private, por derisa nuk kishte një institut kombëtar që të emetonte edhe monedhën shqiptare  frangu ar mbeti vetëm si unitet llogarie.

Për shkak të mungesës së monedhës divizionare, tregtarët nisën të emetonin bono ndërsa me ligj bashkitë u lejuan që të emetonin kartëmonedha me vlerë vetëm në juridiksionin e tyre duke e bërë edhe më të larmishëm qarkullimin e parave në vend.

Komisioni që s’nxorri dot bilancin

Në kushtet kur nuk ishte emetuar ende monedha shqiptare si rrjedhojë e mungesës së një banke kombëtare shqiptare, edhe llogaritë e hyrjeve e daljeve në buxhetin e shtetit ishin shumë të vështira për t’u realizuar për shkak se varionin nga zona në zone në monedha të ndryshme. Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se për 8 muaj me radhë një komision i posaçëm kontrolli i kryesuar nga Fejzi Alizoti dhe që kishte në përbërje Lec Çobën, Haxhi Shkozën e Tonin Simonin punoi në vitet 1920-1921 me regjistrimet kontabël të arkës së shtetit po nuk arriti të nxjerrë dot një llogari ekzakte mbi hyrjet dhe daljet në monedha të ndryshme.

Monedhat duket se ishin më të preferuara e më të besueshme ndër shqiptarë për shkak të metalit nga i cili përbëheshin (ar ose argjend). Ato pak kartëmonedha të huaja që ishin në vend gjenin përdorim kryesisht në zonën bregdetare, sidomos pranë porteve ku zhvillohej tregtia me jashtë.

Këtë situatë evidenton edhe i dërguari i Lidhjes së Kombeve Albert Calmes që studioi gjendjen ekonomike të Shqipërisë së viteve ’20.

Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar për monedhat metalike apo për kartëmonedhat. Uniteti i adoptuar për llogaritë publike është frangu ar. Në praktikë, llogaritë hartohen dhe pagesat bëhen në napolona dhe korona. Napolonët janë të gjithë në pjesë 20 franga ari të llogaritura.

Monedhat e argjendit pranohen për pagesa në çdo shumë. Monedhat e bakrit janë më së shumti italiane. Sa i përket kartëmonedhave, lirat e letrës gjendet në zonën bregdetare. Dhrahmitë e letrës, që qarkullonin më parë në jug të vendit janë zhdukur, shqiptarët i kanë hequr qafe në kohë.

Në thesarin publik, ari, argjendi dhe letra pranohen pa dallime. Sa i përket argjendit dhe letrës, një kurs zyrtar këmbimi është fiksuar nga një komitet tregtarësh çdo javë, ditën pas pazarit, në secilën prefekturë ose nënprefekturë. 

Shqipëria është kështu një nga vendet e vogla evropiane që posedojnë një monedhë të shëndoshë. Kur të themelohet banka, Shqipëria do të mund të caktojë kursin zyrtar të këmbimit për paratë e emetuara nga kjo bankë dhe në mënyrë të vazhdueshme monedhat e huaja gradualisht do të zhduken.

Shqipëria ka bërë përpjekje tashmë për të vendosur një monedhë letre me ligjin e 16 shkurtit të vitit 1922, që gjithsesi nuk është vënë në zbatim. Shumë nene të këtij ligji duket se nuk janë pranuar me kënaqësi” shkruhet ndër të tjera në raportin e vitit 1922 të profesorit të Lidhjes së Kombeve.

Në vitin 1922 u bë një ligj i posaçëm mbi prerjen e kartëmonedhës kombëtare në masën 8 milion franga ari me qëllim që të ulej përdorimi i monedhave të huaja në vend e të eleminoheshin humbjet që vinin nga luhatjet e kursit por ligji nuk gjeti zbatim. Studiuesit e kohës e lidhin këtë me faktin se kishin nisur diskutimet zyrtare me grupet financiare të huaja për themelimin e bankës kombëtare që do të emetonte monedhën. Situata do të vijonte të ishte e tillë deri në mesin e viteve ’20 kur u krijua banka qendrore dhe u emetua monedha kombëtare shqiptare.

Kreshnik KUÇAJ – Portali ekonomik SCAN