E pabesueshme/ Portieri më i vjetër i historisë së Kupës së Botës pret penallti (VIDEO)

Në ndeshjen që Egjipti po luan kundër Arabisë Saudite e vlefshme për Grupin A të Botërorit, nga minuta e parë për “faraonët” ka zbritur në fushë portieri Essam El-Hadary. Ky i fundit është bërë lojtari më i vjetër që luan në një kupë bote, në moshën 45-vjeç e 161 dit. El-Hadary ka thyer rekordin e një tjetër portieri, Faryd Mondragón.

Kolumbiani e kishte vendosur rekordin e tij në Botërorin e 2014, në Brazil, atëherë kur kishte zbritur në fushë në moshën 43-vjeç e 3 ditë. Por portieri i Egjiptit ka vendosur edhe një rekord tjetër, pasi në minutën e 39-të, ai priti një penallti që u ekzekutua nga Al Muwallad.

Në minutën e parë të kohës shtesë, Arabia Saudite ekzekutoi një tjetër penallti, por këtë herë portieri nuk mundi që të priste goditjen e Al Faraj.