Mesi nuk heq dorë nga fiksimi: Dua Kupën e Botës me Argjentinën

Lionel Messi nuk dorëzohet dhe i qëndron besnik fiksimit të tij për fitimin e trofeut të “Kupës së Botës”. Në 31-vjetorin e tij të lindjes, ai ka konfirmuar se nuk do të tërhiqet deri sa të realizojë ëndrrën e tij, të dërgojë Kupën e Botës në Argjentinë.

“Nënkupton shumë, sepse për Argjentinë, Kupa e Botës është shumë speciale, gjithashtu edhe për mua. Kam ëndërruar gjithmonë veten duke ngritur Kupën e Botës. Pastaj të shohësh emocionin që ikën bashkë me atë. Më ngjethet mishi vetëm kur e mendoj atë moment. Do të lumturonte miliona argjentinas në të gjithë botën.

Prandaj nuk mund të heqim dorë nga kjo ëndërr. Unë kam fituar të gjitha kompeticionet e rëndësishme por mbetem ambicioz deri në fund. Nuk do të doja të tërhiqesha nga futbolli aktiv pa qenë kampion bote me kombin tim”, tha Messi për “The Mirror”.