Idiotët prapa gjenive

Nga Frrok Çupi.

Fillimisht, gjenitë i lanë në gurore, ku gdhendin gurë. Tani, sidomos këto ditë, gjenitë i gjejnë në fushën e futbollit, a në Botërorin e Rusisë. I marrin që nga Botërori dhe luajnë me ta… Njësoj siç merrnin dikur gjenitë nga guroret ku latonin gurë dhe u jepnin forma gjeniale si ato të Mikelanxhelos…, gëzohen me ta dhe prapë ‘Mikelanxhelon’ e lënë te gurët… Njësoj siç e kthyen grekët e lashtë Homerin në një kënaqësi. “Homeri është i lehtë- thanë grekët jo-gjeni- është pikërisht për të vënë në gjumë dhe për të shuar shpirtin pasionant të grekëve”.

… Shiko si e ngrenë shpirtin pasionant të Ballkanikëve dy gjeni të Botërorit: Xhaka dhe Shaqiri. Opinioni i lartë i Botës po shikon se dy gjeni që ndodhen në “guroren” e futbollit, kanë nxehur gjakrat e mijërave në Ballkan, derisa janë gati të thonë “luftë!”.

Raporti mes gjenive dhe injorantëve është mitik.

Gjenitë ndodhen gjithnjë në “gurore”; atje ata latojnë gurët dhe ndërtojnë veten. Ndërsa injorantët i kontrollojnë nga larg dhe i marrin “përdore” sa herë kanë nevojë. Injorantët kanë nevojë për gjenitë jo sa herë duan të dëshmojnë dituri, por sa herë iu del injoranca ‘nga veshët’ dhe nuk e mbajnë dot. Shikoni vetëm këtë herë, kur dy futbollistët zviceranë me origjinë shqiptare, Xhaka dhe Shaqiri, u shpallën “heronj” në ndeshjen kundër Serbisë. Dy golat që vulosën fitoren e Helvetia-s u shënuan nga dy shqiptarë. Po të kishin mundur Korenë e Veriut, jam i sigurt se as që do të përbënte lajm akti i shqiptarëve. Mirëpo mundën Serbinë; dhe për këtë poshtë gurores së tyre shpërtheu idiotësia. Shumë shqiptarë nisën menjëherë të mburren para botës se “ah!, ça i bëmë Serbisë së çetnikëve!”; ndërsa disa serbë shkruan në media se ‘kjo është e keqja, se na mundën shqiptarët”, jo zviceranët… Edhe organizata Botërore e Futbollit (FIFA) shfaqi të njëjtën idiotësi. Ajo tha se “do ta shikojmë, ndoshta i dënojmë” dy futbollistët sepse bënë shenja me gishta…

Interesant…, idiotët e rinj të shekullit, janë më idiotë se ata të fillimit, kur gjenitë i kishin vënë në gurore. Atëherë, të paktën, nuk dënoheshin shenjat dhe fjalët; ndërsa tani dënohet “shqiponja e shqiptarëve” dhe ‘tre gishtat’ e serbëve. Nuk dënoheshin në kohën e Homerit. Ndoshta është kjo një arsye pse gjenitë i skalitën heronjtë mitikë me trupa të zhveshur, por atëherë…

Pastaj idiotët, sapo të mbarojë ‘Botërori’, d.m.th., vepra mikelanxheliane, i marrin gjenitë dhe i çojnë përsëri në gurore. Injorantët ndjehen shumë më mirë me veten se me gjenitë. Kur po bëhej futbollist Xherdan Shaqiri, injorantët shqiptarë ngritën një stuhi me akuza: “po ti more tradhtar, do të qëndrosh në Zvicër e nuk vjen në Shqipëri?!”. “Jo- u përgjigj Shaqiri,- erdha por më kërkuan euro, në vend që të më jepnin diçka për veprën. Po shkoj në Zvicër ku mbahem mirë”, tha ai. Tani injorantët, fiks ata që i thanë atëherë, po mburren me Shaqirin se “e shikon, jam edhe unë shqiptar si ai”. Pak më vonë, me siguri, do ta çojnë prapë në ‘gurore’ dhe do t’i thonë gjeniut “rri atje, mos na prish pazarin”.

Injorantët nuk mund të bëjnë punë të vogla, punë të vogla bëjnë gjenitë që e ndërtojnë veprën pak nga pak e përditë. Atje, në guroren e vështirë të jetës ndodhej edhe Granit Xhaka. Me zor siguronte bukën e gojës, edhe pse kishte manifestuar shenja të gjeniut. E dini si u kthye në ‘shqipe’ Granit Xhaka?… Duke vrapuar, natë e ditë; më shumë natën se ditën, sa herë i ngrinte gjaku nga të ftohtit. Ishte aq i varfër, në një shtëpi pa ngrohje, në temperaturën minus 20 gradë celsius në Zvicër, saqë mund ta ngrohte gjakun vetëm duke vrapuar… Kështu u bë ‘shqipe’, jo se e bëri ëndrra e idiotëve për t’u mburrur me “shqiponjën” e kombit. Por tani këta e përdorin gjeninë, aq sa nuk e përfillnin atëherë…

Gjeniu e ka vendin prapë atje, në “gurore”.

Ndërsa injorantja Politikë ka një sjellje tjetër me gjenitë. Po marr shkas nga idiotësia rreth heronjve të Botërorit…. Injorantja politikë ka zakon që pasi i përdor gjenitë, i ngre ‘në qiell’. Të gjithë thonë fjalë pa kuptim, të mira- sigurisht, për gjenitë, por asnjëherë nuk i sjellin pranë. Çfarë ka brenda Parlamenti ose qeveria?…, gjeni dhe ‘gurore’, apo injorantë e hajdutë? Abuzojnë edhe me perceptimin popullor se “gjenitë janë qiellorë”, dhe këta u kanë thënë gjenive: “Ne nuk jemi diktatorë e nuk u çojmë më në gurore, por u ngremë në qiell”. Për t’i mbajtur larg…, për ta ndarë njeriun nga çdo lidhje me gjeniun…

Por të gjithë, njësoj, i dhunojnë gjenitë…