Tifozët zviceranët kërkojnë përjashtimin e Xhakës dhe Shaqirit

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë marrë mbi shpatulla Zvicrën për ta udhëhequr drejt fazës tjetër në Rusi 2018, por në mënyrë të pabesueshme, vetë tifozët e tyre kërkojnë që ata të dënohen sepse festuan me “shqiponjë”.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Serbisë, në lajmin që ka bërë televizioni kombëtar zviceran “SRF” në faqen e internetit për ndeshjen, janë postuar me dhjetëra komente ku shumë tifozë zviceranë kërkojnë që Xhaka dhe Shaqiri të dënohen nga Federata Zvicerane apo edhe të përjashtohen,.

Sipas tyre, ata kanë thyer rregullat e vendosura në kombëtare e me një gjest të papërgjegjshëm, kishin provokuar lojtarët dhe tifozerinë kundërshtare.

Menjëherë ka plasur një debat i ndezur me tifozë të tjerë, të cilët e shihnin këtë si një gjest emocional që nuk mund t’u ndalej lojtarëve për sa kohë që nuk ishte ofensiv dhe për sa kohë që ata vazhdonin të impenjoheshin maksimalisht me fanellën e Zvicrës, shkruan Vip Sport.

Të dy futbollistët shqiptarë kanë zgjedhur të njëjtën mënyrë për të festuar golat e realizuar, duke bërë me duar shqiponjën.

Duhet theksuar se në nëntor të vitit 2014, vetë futbollistët shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën, kanë vendosur që të heqin shqiponjën si pjesë të festimit të tyre.

Kjo, për të vetmen arsye pasi një festë e tillë i kishte hapur shpeshherë probleme këtyre futbollistëve duke i kthyer në qendër të polemikave në Zvicër, pasi ndjenja e përkatësisë shqiptare nuk mund të pranohej lehtësisht nga tifozët zviceranë.

Por kur bëhet fjalë për një takim në Botëror kundër Serbisë, Xhaka dhe Shaqiri nuk mundën t’i përmbaheshin rregullave të vendosur nga vetë ata.