Saviano: Salvini po më kërcënon si mafioz

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, po shqyrton nëse duhet t’i heqë mbrojtjen policore Roberto Savianos, autor i librit dhe serialit televiziv “Gomorra”.

Gjithçka nisi pasi Saviano kritikoi ashpër Salvinin për politikat ndaj emigrantëve.

“Unë jam thjesht një prej shumë armiqve të tij”, thotë Saviano.

“Të jetosh gjithë kohën i ruajtur nga policia, është tragjedi. Italia ka më shumë gazetarë në situata të tilla se çdo vend tjetër perëndimor. Kjo ndodh për shkak se Italia ka organizatën më të fuqishme kriminale në botë. Por në vend që të çlirojë gazetarët nga këto rreziqe, Salvini, Ministri i Brendshëm italian, i kërcënon.

Duke ngritur mundësinë për të më hequr mbrojtjen policore, Salvini po sinjalizon vendosjen time në listën e gjatë të armiqve”, thotë Saviano.

“Armiqtë e tij janë italianët e jugut, italianët me të cilët ai nuk merret tani dhe s’ka për t’u marrë kurrë. Armiqtë e tij janë afrikanët që jetojnë në Itali, indianët që jetojnë në Itali, pakistanezët që jetojnë në Itali. Armiqtë e tij janë djemtë e vajzat e lindur në Itali me prindër të huaj. Armiqtë e tij janë pjesëtarët e komunitetit rom, të gjithë romët. Armiqtë e tij janë të huajt që ai do të largojë nga Italia, dhe italianët që Salvini do të donte t’i përzinte bashkë me të huajt. Mes këtyre italianëve, të harruar nga politika dhe institucionet, jam unë.

Salvini, nëpërmjet këtij kërcënimi, më ka vendosur aty ku kam vendin. Unë jam krenar për këtë status.

Fjalët janë më të rëndësishme. Fjalët e ministrit të brendshëm janë të stilit mafioz. Mafiozët kërcënojnë. Salvini po më kërcënon.

Salvini flet për para. Do të kursejë para duke më hequr mbrojtjen nga policia. Ai duhet të flasë për llogaritë bankare të Lega-s, që janë ngrirë.

Sapo pashë në rrjetet shoqërore një hashtag për të më mbështetur  #savianononsitocca (Saviano nuk preket). Faleminderit për mbështetjen, por dua të bëj të qartë se unë nuk jam thjesht një mjet që Salvini do të përdorë për të shkatërruar rendin ligjor.

Do të ishte shumë e lehtë për mua sot t’ia ktheja zjarrit me zjarr, por nuk dua ta bëj. As nuk dua të kthej faqen tjetër. Nuk jam Krishti, as një qengj për kurban. Nuk po kërkoj të dorëzohem.

Nuk kam frikë nga Salvini. Vitet e fundit jam përballur me urrejtjen e njerëzve që i përkasin mafias dhe ‘Ndrangeta. 

Jam përballur me urrejtjen e “narcos-ave” amerikano-jugorë. Nuk kam frikë nga një budalla që kishte frikë të udhëtonte deri në jug të Italisë deri pak vite më parë.

Sot është nevoja që të ecim nëpër Itali e të diskutojmë situatën. Por jo me Salvinin. Ai është një bufon dhe të flasësh me bufonë është humbje kohe.

Salvini do të fitojë duke kërcënuar. Italianët e llojit tim duan të bindin nëpërmjet komunikimit, duke folur. Duhet të flasim me njerëzit e Lega-s që janë të neveritur nga fjalët dhe veprimet e drejtuesit të tyre. Duhet të flasim me partitë që u bashkuan me Salvinin në këto zgjedhje, me ata që hynë në koalicion me Salvinin, dhe me ata që janë nën shënjestrën e një njeriu që s’bën dot gjë tjetër përveçse të kërcënojë.

Ky njeri i paskrupullt e cinik nuk duhet lejuar të armatosë forcat e intolerancës.

Ata që heshtin tani do të jenë fajtorë përgjithnjë”, shkruan Saviano, autori i librit dhe serialit të famshëm “Gomorrah”.