Dështimi shqiptar solli mos hapjen e negociatave

Nga: Vincent Triest

Pas vendimit të parlamentit holandez për të mos lejuar hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në Shqipëri kanë nisur diskutimet se kush është fajtori i gjithë kësaj historie. Me muaj të tërë në Shqipëri nga politikanët shqiptarë u pretendua që vendi është më pranë se kurrë integrimit. Pavarësisht që kjo tashmë u tregua e pavërtetë, koha është tani për të identifikuar shkaqet që sollën në ketë rezultat. Por ndryshe nga çfarë pretendohet nga po ata politikanë që sollën dështimin, këto shkaqe mund t’i faturohen vetëm Shqipërisë.

Holanda, ose njohur ndryshe si Mbretëria e Vendeve të Ulëta do ishte 75% nën ujë, nëse nuk marrin masat kolektive me luftën kundër detit. Për ketë arsye, holandezët historikisht janë mësuar të veprojnë në kolektiv. Ky shtet është i famshëm për të gjetur gjithmonë rrugën e mesit, ku është e mundur, për të arritur bashkë në një rezultat me të mirë. Kjo strategji, që njihet ndryshe si “poldermodel”, mund të shpjegohet si bashkëpunim, pavarësisht dallimeve me njëri-tjetrin.

Ka shumë dallime midis Holandës dhe Shqipërisë, por që ky bashkëpunim që karakterizon Holandën të funksionojë, kërkohet që aktorët e përfshirë të tregojnë gjithmonë të vërtetën. Ndryshe nga përshtypja që ne mund të krijojmë duke ndjekur mediat shqiptare, Shqipëria nuk është aty ku është.

Politikanët në Shqipëri po sillen sikur janë arritur rezultate shumë konkrete, pavarësisht që kjo nuk është e vërtetë. Nëse flet me holandezët, qoftë deputetët dhe qoftë zyrtarët e organizatave ligjzbatuese bëhet e qartë që ata mendojnë që Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Një nga deputetët holandez përmendi për shembull vetingun, ku deri tani nuk janë gjykuar më shumë se sa 10 figura nga 800 që parashikohen. Por duke ndjekur politikanët dhe zyrtarët e lartë shqiptarë, ata krijojnë përshtypje që vetingu ka nisur mirë dhe ka dhënë rezultate shumë të mira. Ajo çfarë harrohet është që “peshqit e mëdhenj” s’janë kapur ende dhe që procesi po shkon shumë më avash se sa mendohet.

Po edhe sipas raporteve të shumëkomentuara nga policia holandeze për krimin e organizuar shqiptar në Holandë, shqiptarët janë të paktë në numër, por mbajnë një pozicion të rëndësishëm në shpërndarjen dhe tregtimin e drogave të forta, migracioni i paligjshëm dhe pastrimi i parave. Pavarësisht që Holanda ka tentuar të bashkëpunojë më shumë me autoritetet shqiptare, diçka që është përkthyer edhe në disa vizita në Hagë, rezultate konkrete nuk janë arritur ende. Në vitet të fundit nuk është goditur ndonjë grup domethënës që merret me vepra të paligjshme në Holandë me informacion shqiptar. Oficerët e policisë holandeze ende ankohen për mungesë këmbimi të informacionit.

Që nga maji i këtij viti ishte e qartë që qeveria holandeze kishte probleme me rezultatet në luftën e Shqipërisë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shteti shqiptar kishte dy muaj kohë për të bërë të qartë që realiteti ishte ndryshe. Kjo nuk ndodhi dhe detyrat të Holandës u harruan. Tashmë jemi vonë për të ndryshuar diçka. Ajo çfarë na mbetet është të punohet më fort në të ardhmen, të arrihen rezultate konkrete që mund t’i tregojmë qeverisë, parlamentit dhe opinionit publik të Holandës në mënyrë që të forcohet pozicionin e Shqipërisë vitin tjetër për të hapur negociatat. Në qoftë se jo, këto “gabime” do i faturohen përsëri vetëm shtetit shqiptar.

Burimi: Gazeta Shqiptare