Trump tërhiqet! Nuk i ndan fëmijët, fajin ua faturon demokratëve

Donald Trump vendosi të tërhiqej nga politika e tij polemizuese e ndarjes së familjeve në kufi, e një ditë më parë iu dorëzua presionit publik duke firmosur urdhrin ekzekutiv që i jep fund kësaj praktike. Por, lëvizja e tij nuk zgjidh problemin e 2.340 fëmijëve të ndarë nga prindërit e tyre përgjatë periudhës 5 maj-9 qershor.

Për ditë me radhë, zyrtarët e administratës amerikane kishin këmbëngulur se thjesht po zbatonin ligjin dhe se linja e tolerancës zero ndaj kalimeve të paligjshme të kufirit do të thoshte se këtyre njerëzve do t’iu merreshin fëmijët.

Kritikët e sulmuan ashpër presidentin, duke thënë se me qëndrimin e tij të njëanshëm krijoi një situatë që rezultoi në ndarje të dhimbshme, e se vetëm ai mund ta ndryshonte këtë gjë.

Përmes veprimit ekzekutiv të së mërkurës, Trump praktikisht e pranoi se ata kishin të drejtë. Duke qenë se ligjërisht të miturit nuk burgosen dot bashkë me prindërit, ata po mbahen nëpër qendra të veçanta.

Sipas ligjeve amerikane, fëmijët mund të lihen të lirë menjëherë për t’iu bashkuar të afërmve të tjerë, por në praktikë kjo procedurë zgjat deri në 2 muaj. Urdhri i nënshkruar nga Trumpi nuk jep asnjë afat kohor se kur mund të zgjidhet çështja e mbi 2.300 të miturve të ndarë nga familjet e tyre së fundi.