Rihapet dosja “Hajdari”. Do dëshmojnë Berisha, Nano, Klosi, Gjinushi,….

Foto Arkiv: Azem Hajdari dhe Izet Haxhia

Kërkesa e Izet Haxhisë, për rihapjen e dosjes “Hajdari” e konsideruar si dosja e shekullit, mori këtë të enjte miratimin nga Gjykata e Tiranës.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Izet Haxhisë për rivendosjen në afat të të drejtës së apelimit ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr 360, datë 29.04.2002.  Avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla, sqaroi me detaje se klienti i tij që pretendon pafajësinë, do t’i drejtohet tashmë Gjykatës së Apelit. Avokati thotë se klienti i tij ka prova të cilat do t’i bëjë prezente në momentin e duhur. Ai flet për të paktën 21 politikanë shqiptarë për të cilët do të kërkohet dëshmia në lidhje me një nga vrasjet më të bujshme në Shqipëri.

“Të merret vesh se kush e vrau Azem Hajdarin, pse të mos merret vesh kur klienti im është i pafajshëm”,- thotë avokati.

Për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia është dënuar në mungesë me 25 vjet burg. Vrasja e Liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari është cilësuar si vrasja e shekullit. Përgjatë viteve ka pasur akuza për implikimin e politikës së asaj kohe në këtë vrasje.

Burime sekrete nga pala paditëse tregojnë se do të thirren për të dëshmuar Sali Berisha, Fatos Nano, Genc Pollo, Tritan Shehu, Rexhep Mejdani, Fatos Klosi, Gramoz Ruçi, Skender Gjinushi, Jozefina Topalli, Bamir Topi, Bashkim Fino, Arben Malaj, Ndre Legisi, etj

Pyetjet e gazetarëve ndaj avokatit të Izet Haxhisë

Çfarë ndodhi në seancën e sotme?

Bashkim Nikolla: Me këtë vendim që mori gjykata e Shkallës së Parë flet shumë, është një ditë e mirë për Shqipërinë, për drejtësinë që kriminelët e vërtetë të dënohen. Është hapur rruga për të regjistruar nga ana jonë, për të proceduar më tej me ankimin. Do rendisim provat dhe do themi pse jemi të pafajshëm, pra do provojmë që na takon pafajësia.

Keni prova të reja?

Bashkim Nikolla: Sigurisht që ka prova. Nuk është momenti për t’i bërë të njohura. Ne do sqarojmë pozicionet tona dhe mbështetjen në prova reale.

Çështja tani shkon në Apel?

Bashkim Nikolla: Patjetër, na është hapur rruga të ridëgjohemi e gjykohemi në një dosje skandaloze. Vetëm dje kemi pasur mundësi të prekim dosjen prej 702 faqesh. Janë mbi 21 politikanë, me në krye të parin e vendit, që organi i akuzës iu ka bërë thirrje të paraqiten dhe nuk kanë shkuar të dëshmojnë. Kanë pasur një seli partiake dhe nuk e kanë përfillur drejtësinë. Do kërkojmë gjithë këta politikanë të dëshmojnë.

Të gjithë e kërkojnë kush është vrasësi i Azem Hajdarit?

Bashkim Nikolla: Të gjithë ta marrin vesh kush është.

I qëndroni akuzës së bërë nga Izet Haxhia se është paguar 1 milion euro për ta eleminuar fizikisht?

Bashkim Nikolla: Po, do ta vërtetojmë porositësin, se Izet Haxhia ka pasur rrezik permanent për jetën. Të bëhet drejtësi, pa bota të përmbyset. Unë kam shumë besim tek drejtësia.