Minimatura/ Dalin datat për provimet e vjeshtës. Ja rregullat për mbetësit

Tjetër shans për minimaturantët që nuk arrijnë të sigurojnë dot notë kaluese në një nga tre provimet e lirimit, që iu nënshtrohen brenda muajit qershor.

Me një udhëzim, datë 14.06.2018, Ministria e Arsimit ka caktuar datat e provimeve të vjeshtës për mbetësit e klasave të nënta, duke iu dhënë mundësi mbetësve të pajisen me dëftesë, si kusht për t’u regjistruar në shkollën e mesme. Për tri lëndët bazë që përmbyllin ciklin e detyrueshëm shkollor, Gjuhë e huaj, Gjuhë shqipe dhe Matematikë, do të ritestohen në javën e fundit të muajit gusht.

Kështu, i pari, Gjuha e huaj, do të jepet në 24 gusht, katër ditë më vonë, provimi i Gjuhës Shqipe, për t’u përmbyllur në datën 31 me lëndën e Matematikës. Edhe në sesionin e dytë do të ndiqen të njëjtat rregulla e procedura si në provimet e para. Ato fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Në udhëzimin e MAS ka pika të veçanta për minoritetet, ku pasqyrohen me detaje dhënia e testimeve.

“Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën ‘Gjuhë amtare’, sesioni i dytë, përgatitët nga DAR Gjirokastër, Zyra Arsimore Delvinë dhe Zyra Arsimore Sarandë, tërheqin në DAR Gjirokastër tezën, ditën e provimit.

Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza për provimin në lëndën ‘Gjuhë amtare’, sesioni i dytë, përgatitet nga DAR Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë”, citohet në dokument. Nuk janë lënë jashtë udhëzimit edhe nxënësit me aftësi të kufizuar, të cilët thuhet se do ta zhvillojnë provimin në përputhje me veçoritë e tyre.

Ashtu si për Maturën, përgjegjëse për testimin që nga hartimi i testeve, materialet ndihmëse për nxënësit e deri te raporti mbi arritjet e nxënësve të arsimit bazë do të jetë Qendra e Shërbimeve Arsimore. Edhe rregullat janë thuajse të njëjta me Maturën. Nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara se të nisë ai, të pajisur me dokument identifikimi.

Në 11 qershor, minimaturantët dhanë provimin e parë të Gjuhës së Huaj, ndërsa dy ditë më parë Gjuhën shqipe. Sezoni i provimeve përmbyllet në datën 22 qershor me lëndën e Matematikës.