Malaj: Kauza e Teatrit s’ka kthim prapa. Rama s’mund të fshijë memorien e kombit

Deputetja e LSI-së, Nora Malaj flet për debatin e djeshëm mes opozitës dhe Erion Veliajt, dhe se si do të vijojë aksioni i opozitës për Teatrin Kombëtar

Intervistoi: Redjon Shtylla

Dje Komisioni i Medias dhe i Edukimit, u kthye në një arenë të “boksit politik”, për shkak se PD-ja nuk pranoi që në një ditë, edhe kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, të ishin pjesë e dëgjesës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, anëtarja e këtij Komisioni, deputetja e LSI-së, Nora Malaj, tregon atë çfarë televizionet nuk transmetuan. Malaj, thekson se nëse do të ishte pranuar mendimi konstruktiv i propozuar nga LSI-ja, skenat e kaosit dhe tensionit do ishin mënjanuar. Nga ana tjetër, Malaj thotë se qeveria është në krizë. “Sot qeveria është në ditë të hallit, pasi deri më tash në Parlamet kanë kaluar vetëm 4 ligje, dhe këto më shumë me bojkote dhe me seanca të turpshme, që miratohen me mbledhje të njëanshme”.

E pyetur nëse çështja e Teatrit mund të nxis akte të dhunës, deputetja e LSI-së thotë se: “Ne jemi të vendosur në mbrojtje të interesit të qyetetarëve dhe të artistëve të Teatrit Kombëtar”. Në fund, deputetja e LSI-së jep mesazhin me shembjen e Teatrit përdhoset historia, “pasi nuk fillohet gjithnjë nga viti zero”.

Znj.Malaj, edhe pse ju si LSI pranuat që dëgjesa për çështjen e Teatrit Kombëtar tu bënte me të dyja palët, si me z.Veliaj dhe me znj.Kumbaro, insistimi i PD-së për të nxjerrë jashtë Komisionit të Medias kreun e Bashkisë së Tiranës, a lidhet me befasinë apo papërgatitjen e PD-së për këtë debat, ashtu sikur edhe z.Rama e quajti PD-së si parti e zbrazur mendërisht?

Dita e djeshme në komision u shoqërua me një debat, i cili në vetvete solli një situatë me ngarkesë dhe pa kod etik. Çdo gjë mund të ishte realizuar më së miri, nëse do të respektohej dhe do të pranohej mendimi konstruktiv, që u dha në emër të LSI-së nga nënkryetarja e saj dhe anëtarja e këtij komisioni znj.Mehmetaj. Kjo do kishte evituar debatin e panevojshëm , si dhe kishte kursyer palët nga gjuha e fyerjes dhe e mungesës së etikës së komunikimit.

Ndryshimi i ditës ku z.Veliaj do të ishte për dëgjesë në Komision, do të kishte ndikim tek argumentet dhe pikëpyetjet që do të ngrinte opozita në këtë përballje?

Ajo që të gjithë dëshironim dhe prisnim ishte që në ditën e djeshme, Ministra e Kulturës, zonja Kumbaro të sillte para Komisionit faktet se përse ky projektligj i cili është hedhur për dëgjesë publike, nuk është konsultuar me grupet e interesit. Cilat janë hilet që fshihen në të, dhe pse ky dokument është i mangët, pasi nuk ka relacion shpjegues, nuk ka buxhet konkret, nuk ka mënyrën sesi do të menaxhohet. Gjithashtu nuk është i qartë sesi dhe në çfarë forme është zgjedhur firma fituese. Është e paqartë se cili është projekti në fjalë, dhe askush nuk është në gjendje të thotë pse Teatri Kombëtar, jo vetëm si një monument i vlerave shpirtërore, por edhe historike pasi lidhet me identitetin dhe integritetin e një kombi dhe zhvillimin e tij historik në vite, duhet të investohet nga buxheti i shtetit dhe të menaxhohet e ti vihet në shërbim aktorëve dhe qytetarëve të Tiranë dhe të Shqipërisë. Dita e djeshme nuk na krijoji këtë mundësi, ndaj në ditët në vijim deputetët  e opozitës do të kërkojnë dëgjesën me ministren e Kulturës, për ti bërë me dije asaj dhe stafit të saj, të gjitha shqetësimet jo vetëm të opozitës, po edhe të qytetarëve të qytetit të Tiranës dhe të Shqipërisë.

z.Balla ka thënë se ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e z.Veliajt dhe znj.Kumbaro në Komision. Tregon kjo një skenar për bllokim të seancës?

Historia e skenarëve të bllokimit është një histori sa e vjetër, aq edhe e shëmtuar, pasi siç thotë edhe populli: “Nuk mund të mbulohet dielli me shosh”! Unë kam qënë në të gjitha protestat për mbrojtjen e Tetarit, jo vetëm si deputete, po edhe si qytetare që kam lindur në Tiranë. Unë kam parë që në moshë të fëmijërisë, të rinisë, deri në këtë moshë që jam edukuar dhe më pas kam edukuar edhe të rinjtë e të rejat, që të bëhen ndjekës dhe shikues të Teatrit, pasi ajo të mbush shpirtërisht dhe e bën shoqërinë më të përgjegjëshme për sfidat e jetës. Ajo që unë vura re dje në komision, ishte gjuha arrogante dhe padija e megallomania e  përfaqësuesve të pushtetit, të cilët më vërtetuan shprehjen e goditur të shkodranëve: “Të hyftë vetja në qejf”.

Dje në fakt parlamenti nuk funksionoi. Nuk u zbatua dhe u dhunuan të gjitha elemetët e pluralizmit, nga ana e ministres dhe të ftuarve në dëgjesë, duke thyer dhe mos respektuar dëgjesat dhe rendin e ditës, kjo nga paaftësia dhe mosdija e minsitres së linjës, aq sa vunë në vështirësi edhe kolegët e maxhorancës, pasi e vetmja mënyrë dhe argumet ishte zëri i lartë, fyerjet dhe sharrjet, dhe e gjithë kjo situatë degjeneroj si një situatë absurdi. Kjo tregon që sot qeveria është në ditë të hallit, pasi deri më tash në Parlamet kanë kaluar vetëm 4 ligje, dhe këto më shumë me bojkote dhe me seanca të turpshme, që miratohen me mbledhje të njëanshme.

Ky nuk është parlamentarizëm, po privatizim i Parlamentit nga ana e maxhorancës në emër të numrave. Kjo është kriza e identitetit politik dhe e mos përballjes dot me të vërtetat që të dhembin, kur në thelb kanë mashtimin, pastrimin e parave të drogës dhe mos respektimin e opozitës si vlerë në një parlament pluralist.

Nëse miratohet ky projektligj dhe shembet teatri, si do të veprojë LSI-ja? Mund të nxis teatri përplasje të fortë mes qytetarëve, aktorëve dhe qeverisë, siç ndodhi në Komisionin e Medias?

Personalisht do të uroja që të gjitha palët të kenë mirësinë dhe të ulen në dialog, jo vetëm të dëgjojnë artistët, po të respektojnë çdo qytetar të këtij vendi në vendimmarrjen që do të bëjnë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një pronë private, as me drejtim të tepsisë e kamionit, këtu kemi të bëjmë me historinë dhe traditën e një kombi, kemi të bëjmë me patriotizmin dhe integritetin e shoqërisë, ndaj kjo çështje nuk lidhet as me shfaqen teatrale dhe as vetëm me aktorët, po lidhet me identitetin dhe integritetin e kombit dhe të shoqërisë.

Tashmë  nuk shtrohet më vetëm të mbrojmë e të shpëtojmë Teatrin, por problemi më i madh që shtrohet sot është që askush nuk mund të përdhos historinë, pasi nuk fillohet gjithnjë nga viti zero. Nuk meriton Shqipëria dhe shqiptarët tua marrësh dhe identitetin dhe integritetin e tyre, duke ju fshirë memorien e tyre dhe duke ndërtuar historinë nga e para. Në atë skenë kanë interpretuar dhe interpretojnë mendjet më të ndritura të kombit, dhe ne kemi detyrimin moral e njerëzor ti shërbejmë zhvillimit të qyetërimit, jo arrogancës, prepotencës dhe padijes. Jam e bindur nëse do të ulemi dhe dialogojmë.

Zgjidhje ka dhe do të gjendet. Por që të bëhet kjo, duhet të mos jesh i kapur nga paratë e pista të drogës, nga interesat e momentit dhe nga arroganca me të cilën menaxhohet pushteti. Duhet të gjithë të reflektojmë e të bashkëpunojmë, që nesër historia të mos na gjykojë, po na të vlerësojë. Ne jemi të vendosur në mbrojtje të interesit të qyetetarëve dhe të artistëve të Teatrit Kombëtar.

Në këtë qëndrim, LSI-ja do të jetë bashkë me PD-në, apo do të mbajë linjën e saj opozitare?

Tashmë opozita e bashkuar e ka të misionin e saj. Mbrojtja e Teatrit është kauzë dhe mision jo vetëm i opozitës , po i të gjithë shoqërisë. Vlerat e një kombi mbrohet nga cilido që e quan veten patriot dhe e do vendin e ti. Nuk ka kthim mbrapa. Ndonëse Parlamenti sot po përjeton ditët e tij më të zeza, me standartet më mizerabël që nuk janë parë ndonjëherë, ndonëse sot më shumë se kurrë shqiptarët duan të ikin nga vendi i tyre, që përvesh zënkave dhe grindjes, mohimit të së drejtës dhe vrasjes së shpresës, përsëri jam e bindur se kauza e Teatrit është një kauzë që nuk ka kthim prapa, pasi kjo përtej politikës, është kauza e çdo shqiptari dhe e çdo shpirti të lirë. Kam besim në triumfin e çdo iniciativë ku në themel ka dashurinë pa kompromis për vendin dhe për brezat. Kjo është kauza e mbrojtjes së Teatrit Kombëtarë si vlerë e Kombit dhe Kombtarisë.