Vokshi i përvishet Ballës: S’më shkarkon, do t’ua tregojmë ambasadave

Pas kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se mazhoranca do të kërkojë shkarkimin e kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi, ka ardhur edhe reagimi i deputetes së PD.

Vokshi ka thënë se opozita do të vazhdojë me denoncimet e saj. Ajo ka shtuar se nuk ndihet e intimiduar nga propozimi i Ballës për ta shkarkuar.

”Atë çka ndodhi sot do tua tregojmë të gjitha ambasadave, delegacionit të BE, PE-së dhe gjithë delegacioneve të tjera. Veliaj mund të bëjë çfarë do ai në zyrën e tij por jo këtu. Shpreh keqardhjen edhe për deputetët e maxhorancës që kishin mundësinë të distancoheshin por u bënë levë e Ramës e Veliajt. Nuk më intimidon as propozimi i Ballës. Jo Albana, jo deputetët e opozitës në këtë komision por të gjithë deputetët e opozitës nuk do heqin dorë nga e vërteta. Ne do vazhdojmë, do e thërrasim të hënën, të martën të mërkurën, deri sa ministrja të paraqitet. Do bëjmë transparencën, gjithçka për të ndalur aktin kriminal”,-tha Vokshi.

Balla ka thënë se ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e Kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe të Ministes Kumbaros në Komision. Seanca e sotme në Komisionin e Medias u përfshi nga akuza të forta mes deputetëve demokratë, kryetares së Komisionit, Albana Vokshi dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.