Mantra e Sokol Gugës

Nga: Esmeralda Selita – “Mos prit për Mundësi – Krijoji vetë”… duket si Mantra e Ditës, nga ato shprehjet që njerëzit kanë qejf t’i “like”-ojnë e t’i “share”-ojnë nëpër rrjetet sociale, ashtu shpejt e shpejt dhe që po ashtu shpejt e shpejt i harrojnë!

Kjo, në fakt, është Mantra e Sokol Gugës! I ri, i pasonuar, gjithnjë duke rendur pas projektit të radhës! Dhe projekti i tij i radhës ka bërë bashkë kësaj here dy fushat e kompetencës së tij profesionale: vallen, baletin si ish-balerin i Shkollës së Baletit dhe regjinë e spektaklit, që është formimi i tij akademik.

Më 21 dhe 22 shtator ai do të sjellë në Tiranë 300 artistë nga i gjithë Ballkani në të parin festival ballkanik folklorik. Me gjasa, pasi ta inaugurojë “Balkanika Folk Festival 2018”, Sokol Guga nuk do ketë mundësi më të dorëzohet… Ai është nga ata artistë të rinj që krijon Traditë!

E nisi me Krishtlindjet… në Tiranë! E bukura dhe ironia është se Krishtlindjet vijnë përvit, edhe Sokol Guga sjell përvit “Krishtlindje në Tiranë”, me formate të ndërrueshme por me një linjë të përhershme: ai ua “lë skenën” artistëve të rinj. Vë në provë veten, si artist, menaxher, sipërmarrës dhe bëhet mecen i artistëve të rinj!

Po ç’është ky projekt i ri? Guxim për të kapërcyer kufijtë dhe për të tentuar tregun ballkanik? – E pyes unë Sokolin.

“Zysha…”, se për rastësi unë jam ish-pedagogia e tij (vazhdoj të jem) në Universitetin e Arteve në Tiranë, “… as vetë nuk e di se kur më ka lindur si ide, a si ëndërr, por kam thuajse një vit që punoj për ta bërë realitet këtë projekt. E kam përpunuar gjatë rrugës. Shumë gjëra i kisha menduar ndryshe, po më formësohen ndryshe, por ajo që nuk ka ndryshuar që nga fillimi e deri tani, është ideja mbi të cilën ndërtova gjithçka: e Veçanta, Specifikja, Personifikuesja, ajo që përbën diferencën, e Ndryshmja është edhe Forca e Bukurisë dhe forca reale që i ka bërë bashkë jo vetëm kombet e Ballkanit (edhe kur mes tyre janë imponuar politika anakronike nacionalizmash të sëmurë), por sidomos artin burimor, folklorin e tyre!

U fokusova tek folklori i kërcyer sepse është dashuria ime e parë si artist. Edhe për faktin se folklori i kërcyer mbart në vetvete shumë art dhe shumë arte bashkë: ke aty brenda lëvizjen, muzikën, etnografinë, pasurinë e kostumeve, psikologjinë e njeriut-kombit… ke vallen e qetë-reflektive, sensuale, ke vallen dinamike-burrërore, ke vallen e kënduar, çfarë nuk ke e çfarë nuk gjen!

Por fakti që u bëra iniciator për të ftuar e sjellë në Tiranë gjithë këta artistë, lidhet edhe me ca kujtime të fëmijërisë sime kur isha pjesë e një ansambli valltarësh dhe dola për herë të parë nga Shqipëria! E mbaj mend si eksperiencën time më të bukur, më mbresëlënëse… ajo pafajësi e të riut që del “nëpër botë“ dhe e duartrokasin më ka shoqëruar gjithmonë në iniciativat e mia si artist dhe regjisor. Doja, dhe po ia dal me ndihmën e shumë miqve dhe kolegëve, të bëhem mikpritës, të mbledh në Tiranë artistë nga i gjithë Ballkani. Jam i lumtur që tani, që përveçse do bëjmë art dhe do ndezim më shumë sesa dy ditë atmosferë artistike, do bëjmë miqësi me njëri-tjetrin dhe do t’u jap mundësinë artistëve ballkanas ta njohin vendin tim, ta njohin njeriun që jeton këtu. Vetëm shkëmbime të tilla do t’i flakin tutje paragjykimet, të paktën nga mendjet dhe sytë e njerëzve që kanë shanse, kanë mundësi ta njohin njëri-tjetrin”.

Grupe prestigjioze folku nga të gjithë shtetet ballkanike kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen. Sokoli tregon se do jenë edhe dy grupe nga Polonia dhe Arbëreshët e Italisë, si të ftuar special,  të cilët do të përshëndesin spekatorin e kryeqytetit. Nuk do të mungojnë sigurisht artistë të njohur shqiptarë të cilët do t’i japin shkëlqim këtij evenimenti.

Festivali do të zhvillohet për dy net. Në të parën, publiku dhe Juria e përbërë nga personalitete ballkanike do të njihen me konkurrentët, ndërsa natën e dytë do të bëhet ndarja e çmimeve.

Nga 18-23 shtatori 2018, Festivali do të zbresë nga skena edhe në rrugët e Tiranës duke u shndërruar kësisoj në një manifestim artistiko-folklorik, kur grupet pjesëmarrëse do të parakalojnë për kënaqësinë e qytetarëve të kryeqytetit me veshje popullore e flamujt kombëtarë.

Simboli dhe Trofeu i festivalit është zgjedhur të jetë Lahuta, vegla muzikore më e lashtë e Ballkanit. ‘Lahuta e Artë” do të jetë çmimi i madh për ansamblin më të mirë të festivalit “Balkanika Folk Festival 2018”, gjithashtu do të ndahen edhe 4 çmime speciale ‘Lahuta e Argjendë’: për kërcimtaren; kërcimtarin më të mirë; ‘Lahuta e Argjendë’ çmimi i produksionit si dhe ‘Lahuta e Argjendë’ për veshjen tradicionale dhe origjinale.

Veritas.com.al/