Bregu sulmon ashpër Bashën: Turpërove PD-në, pagove për kuotat gjinore vetëm të mos kishte gra

Ish deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, kritike e kreut të PD-së, Basha, e ftuar në KAPITAL në Vizion Plus, nuk ka kursyer edhe njëherë akuzat ndaj tij.

Ajo ka folur për detyrën e re të sekretares së Përgjithshme të këshillit të Bashkëpunimit Rajonal që do ta ushtrojë duke filluar nga 1 janar 2019, por edhe për hapjen e negociatave, për kuotat gjinore në politikë, për dhunën ndaj grave dhe në familjet në Shqipëri.

“Basha ka turpëruar PD, ka paguar për kuotat gjinore në PD, vetëm të mos ketë gra. Kështu bliheshin gratë dikur”- ka thënë ajo.

Hapja e negociatave dhe shanset për anëtarësim në BE nga vitit 2025?

Nuk di sa të arritshme janë disa afate kohore që më tepër jepen për të rritur besimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në vitin 2025 më duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë, por kjo nuk do të thotë që është e pamundur. Por nëse hapen negociatat, janë të gjitha shanset që Shqipëria të kapë ritmin në të cilin është Serbia sot.

Ndërkohë Shqipëria është më përpara se Serbia në drejtim të reformës në drejtësi. Pra nuk është objektiv i pakapshëm arritja e vendeve që i kanë nisur tashmë negociatat

Për kuotat gjinore në politikë

Kur mosrespektimi i kuotave gjinore shlyhet me një gjobë financiare, është thjesht dëshmi e paturpësisë së një kryetari partie politike për të mos respektuar ligjin. Kështu kemi rastin e kryetarit të PD që detyrohet të kthejë mbrapsht gjysmën e financimit shtetëror për fushatën elektorale pikërisht për mosrespektim të kuotës gjinore. Kjo është ajo që ndodh paturpësisht me krerët e partive politike. Basha ka turpëruar PD, ka paguar për kuotat gjinore në PD vetëm të mos ketë gra. Keshtu bliheshin gratë dikur. Shpresoj që ky problem të zgjidhet me reformën zgjedhore, në mënyrë që mosrespektimi i kuotës gjinore të mos ndëshkohet me gjobë por me mospranim të listës së kandidateve për deputete. Në politikë është koha për të ofruar më shumë cilesi. Mund të jenë shumë burrra që nuk meritojnë të jenë në politikë. Do të doja që gratë të sillnin cilesi e jo kuota në politikë.

Për dhunën ndaj grave dhe në familje

Edhe pse kodi penal i ka sot të gjithë mundësitë për të mos e lënë një dhunues që të vrasë gruan apo vajzën, mënyra si zbatohet drejtësia është katastrofike. Shumica e rasteve të grave të dhunuara apo përndjekura përfundojnë të patrajtuara, të pandihmuara si duhet, si nga shoqëria ashtu edhe nga drejtësia. Dhuna ndaj gruas në Shqipëri ka marrë përmasat e një luftë. Pjesa me e madhe e rasteve nuk raportohet. Në rast se ligji do të zbatohej siç është, do të kishim shumë më pak dhunë në shoqërinë tonë sot. A nuk do të ishte më mirë të lihej më shumë hapësirë nëpër tv për këtë çështje sesa për emisionet rozë?

A do ju mungojë politika e ditës në Tiranë?

Ndoshta nervi po, por jo politika në vetvete. Sepse unë do të vazhdoj të merrem me politikë dhe aty ku do shkoj, por në këtë nivel që ka zbritur politika këtu te ne, nuk do më mungojë.

A erdhi ndonjëhere urimi për postin e ri nga Lulzim Basha?

Nuk më ka shqetësuar, nuk e pres, nuk e kërkoj, nuk më bëhet vonë. Urimin e pres nga miqtë. Ka kaq shumë hipokrizi rrotull sa nuk më shqeteson fare kjo gjë.