Shoqatat e grave! Një tjetër Xhuljetë do vdesë, stop me projektet nëpër salla hotelesh luksozë

Nga: Ergisa Bejkollari

Dua të flas sot për drejtueset e organizatave dhe shoqatave të ngritura me qëllimin për mbrojtjen dhe integrimin e gruas në shoqëri, por paratë e projekteve i bëjnë rrush e kumbulla nëpër salla hotelesh luksozë, ose veshje të shtrenjta për rastet kur ftohen nëpër studio televizive, ose investime në shkolla të shtrenjta për “kalamajtë”.

Unë nuk isha sot (dje) në protestë. Unë kam qenë në çdo protestë te cilën e kam konsideruar të nevojshme dhe të dobishme. Por, që prej vitit 2016 kam krijuar bindjen që kur vjen puna tek kjo kauzë, dhuna ndaj grave, protestat përdoren si një mjet “për të dalë të larë” nga disa prej pjesëmarrëseve. Çfarë dua të them me këtë?

A ishte protesta e sotme e vetmja që është organizuar në lidhje me këtë kauzë? Jo.
A është arriitur qëllimi? Jo. Vetëm 2 javët e fundit jemi përballur me tre raste të dhunës në familje, dhunës ndaj grave, vrasjes. Pse nuk është arritur qëllimi? Mungojnë kapacitetet? Cilat kapacitete? Njerëzore, financiare, infrastuktura institucionale?

Jam e bindur që përsa i përket bashkëpunimit institucional ka shumë punë për tu bërë , por unë mendoj që problemi kryesor është mungesa e dëshirës dhe angazhimit.

Ne kemi dëshmuar qindra herë që urdhri i mbrojtjes nuk bën punë.

Aktualisht janë më shumë se 20 organizata që operojnë me këtë qëllim, të cilat unë kam tentuar ti kontaktoj në vitin 2016 dhe nuk ma kanë hapur telefonin (ose “ky numër nuk ekziston).

Kur kjo temë trajtohet në programe televizive, ftohen aty aktiviste e drejtuese organizatash që duket se kanë kapacitetin intelektual për të kuptuar se një “goditje teke me pankarta para Kryeministrisë” nuk mjafton për të zhdukur fenomenin.

Dhe aktualiteti e ka vërtetuar këtë.

Gratë dhe vajzat në Shqipëri vriten sepse ato nuk janë edukuar/shkolluar me idenë se nuk janë pronë e askujt. Gratë dhe vajzat në Shqipëri dhunohen sepse nuk gëzojnë PAVARËSI EKONOMIKE. Gratë dhe vajzat në Shqipëri dhunohen sepse NUK NJOHIN TË DREJTAT E TYRE. Gratë dhe vajzat në Shqipëri nuk dinë ku të drejtohen kur partneri nis e bëhet i dhunshëm. Gratë dhe vajzat në Shqipëri nuk kanë besim tek forcat e rendit. Gratë dhe vajzat në Shqipëri nuk kanë lekë për të paguar avokatin apo shtëpinë me qera. Gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë frikë se po të largohen nga partneri, do mbeten në mes të rrugëve.
Gratë dhe vajzat në Shqipëri dhunohen si pasojë e injorancës. Injoranca shërohet (një mënyrë) nëpërmjet fushatave sensibilizuese/informuese/edukuese.

Këto fushata kërkojnë kohë, këmbëngulje, para, bashkëpunim. Kërkojnë durim për tu futur në zonat e thella, për të bindur baballarët se vajzat duhen shkolluar. Për të bindur nënat se edhe ato vendosin njësoj për të ardhmen e fëmijëve.

Kërkojnë mbi te gjitha qëllimin e mirë. Nëse merr përsipër të drejtosh një organizatë dhe të marrësh fonde mbi vuajtjet e grave dhe vajzave, duhet të marrësh përsipër dhe gjithë sakrificën e nevojshme për të arritur qëllimin.

Përndryshe, një Xhulietë do vdesë sërish nesër ndërkohë që tek Plaza recitohen pallavrat e përhershme të integrimit të grave në shoqëri.