PD: Rama promovon biznesin e ngritur me trafik droge (VIDEO)

Vizita e kreut të qeverisë, Edi Rama në Lurë, ka nxitur mjaft reagime. PD-ja, përmes një deklarate për mediat, ka denoncuar takimin e Kryeministrit në bujtinën e Llesh Docit në Lurë.

Sipas PD-së, biznesi i Llesh Doçit, bujtina që ai ka në Lurë, është ndërtuar nga paratë e trafikut të drogës. Dy djemtë e Doçit, thuhet në akuzën e PD-së, janë të përfshirë në vrasjen e bujshme të 2015-ës, që tronditi Tiranën. Në maj 2015 në bulevard “Zogu i Parë” u vranë tre persona.

Për vrasjen e trefishtë 3 vjet më parë në Tiranë, u arrestuan Markelian Llesh Doçi, 23-vjeç, Klejvi Llesh Doçi, 22-vjeç dhe shtetasi italian Salvatore Letizia, 34-vjeç. Pronari i bujtinës thotë se e ka ngritur biznesin me kursimet e tij dhe të bashkëshortes, të dy arsimtarë.

”Edi Rama promovon biznesin e familjes në hasmëri për pazare droge. Mes dhjetëra familjeve punëtore e të ndershme në Lurë, Edi Rama zgjodhi për të qëndruar dhe për të bërë publik qëndrimin në familjen e Llesh Docit. Banorët e zonës përreth e dinë se biznesi i kësaj familjeve i ka bazat tek trafiku i drogës. Kronika e kohës tregon se dy djemtë e tij u përfshinë në një vrasje në maj 2015 në bulevard në Tiranë. Të dhënat flasin për prishje të pazareve të drogës në Holandë mes dy familjeve, njëra prej të cilave është ajo ku bujti kryeministri dhe ua paraqiti shqiptarëve si model suksesi”, thuhet në denoncimin e PD-së.