Meksika mund Gjermaninë, fitore historike

Gjermania dhuron surprizën më të madhe deri më tani në Kupën e Botës. Kampionët në fuqi janë mposhtur në ndeshjen e parë në fazën e grupeve nga Meksika 0-1, në një duel që kanë vuajtur shumë.

Meksikanët ishin të papërmbajtshëm në 45 minutat e para, me kundërsulme shumë të shpejta duke vendosur në vështirësi shumë herë mbrojtjen e ngadaltë të “Pancerave”. Në minutën e 35-të, Lozano hyn mjaft bukur në zonë, bën një veprim të bukur duke shmangur Boateng dhe më pas mposhtë portierin Neuer. Dy minuta më pas Gjermania kërkon të reagojë me Toni Kroos, por goditja e tij nga gjuajtje e lirë preket me majat e gishtave të Ochoa dhe më pas përplaset në traversë.

Në pjesën e dytë skuadra e Low është dominuese, ndërkohë që Meksika është dukshme e lodhur, por që gjithsesi ka sërish shanse për të shënuar me Chicharito Hernandez. Në krahun tjetër Gjermania rrezikon me Kimmich dhe Kroos, por Ochoa është në një ditë mjaft të mirë. Skandali me 30 prostitutat para Kupës së Botës mesa duket ka shërbyer për mirë për Meksikën, që merr 3 pikët e para, që mund të jenë vendimtare për kualifikimin. /Koha Jonë/