Ish-të përndjekurit, edhe 11 ditë për dëmshpërblimet

Ish-të përndjekur apo trashëgimtarë të tyre, që duhet të trajtohen me dëmshpërblim, kanë kohë edhe 11 ditë nga afati përfundimtar që Ministria e Financave dhe Ekonomisë u ka dhënë disa qindra vetëve.

Ministria e Financave u kërkon përfituesve të dorëzojnë në Drejtorinë e Pagesave numrin e llogarisë funksionale për të marrë dëmshpërblimin. Lista e mëposhtme emërore është e atyre personave, të cilëve u ka kaluar pagesa në bankë në harkun kohor 2016-2017, por numrat e tyre të llogarisë kanë qenë të mbyllur. Përfituesit duhet të dorëzojnë numra të rinj të llogarive bankare (aktivë) deri më 29 qershor, pra mbeten edhe 11 ditë kalendarike.

Kalimi i dëmshpërblimit tek përfituesit e tij nuk mund të bëhet kur nuk plotësohen disa kushte. Kështu, të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës, në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.

Kur kemi ndryshim të identitetit, (emër/mbiemër), apo në rastet kur në çertifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një shkronjë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emri të jetë i njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në rast se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një çertifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të çertifikatës, apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.