Rexhep Qosja: Milionerët politikë dhe të varfrit

Nga Rexhep Qosja- ​Kosova e Re, shtet i lirë e i pavarur, por me sovranitet ende të gjymtuar, ka mjaft risi. Njëra prej këtyre risive të Kosovës së Re janë edhe milionerët e saj. Në mendjen time është krijuar pamja e dy lloj milionerëve të Kosovës së sotme: pamja e milionerit, të milionuar, domethënë të pasuruar, me djersë, me mund, me aftësi punuese e menaxhuese, në njërën anë, dhe pamja e milionerit të milionuar, të pasuruar turr, vrap, me punë politike, domethënë në sajë të pozitave politike, në të vërtetë duke shfrytëzuar e duke shpërdoruar pozitat politike e shtetërore!

​Milionerët e llojit të dytë, të pasuruar në sajë të pozitave politike, janë temë çdo ditë e më e shpeshtë e bisedave, në të vërtetë ende më shpesh e pëshpëritjeve sesa e bisedave të hapëta të qytetarëve.

​Dua të them disa fjalë për këtë milionerin tonë politik sjelljeharlisur, të pasuruar në mënyrë tragjikomike, në sajë të posteve politike e shtetërore!

​Po i dëgjoj çdo ditë milionerët politikë duke qarë e vajtuar hallet e të varfërve.

​Vajet e këtyre “humanistëve”, këtyre “shpirtmirëve “ politikë për të varfërit sot janë më të shpeshta dhe më të zëshme se para një viti!

​Nuk e kuptoj plotësisht arsyen e këtij “njerëzillëku” të tyre!

​Në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë që qajnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë po shtohet çdo ditë e më shumë numri i të varfërve.

​Në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë, që qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë është shtuar numri i të rinjve e të rejave, që bëjnë çmos për të ikur prej atdheut të vet e për të gjetur shpëtim nga skamja në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi, në Japoni apo, madje, edhe në Korenë e Jugut.

​Çfarë cinizmi tragjikomik përmban ai vajtim i milionerëve politikë e shtetërorë!

​Milionerët tonë politikë, të pasuruar, krijuesit e fjalëve të reja do të mund të thoshin edhe të milionuar, në sajë të pozitave politike, që u janë dhuruar gjatë votimeve vendore a të përgjithshme, kur e kur edhe vendore dhe të përgjithshme, po i vajtojnë hallet e shtuara të të varfërve jo vetëm shpesh, jo vetëm me shumëkënd, por edhe shumëkund: në mbledhje partiake, në mbledhje jopartiake, në takime e konferenca të ndryshme, në biseda me gazetarët e televizioneve e të gazetave, me vendorë e të huaj, e, sidomos, në kuvendet komunale dhe në Kuvendin e Kosovës, por numri i të varfërve po shtohet me gjithë sasinë e madhe të lotëve të milionerëve!

​Çfarë ironie përmban kjo shumësi tragjikomike lotësh!

​Milionerët tanë politikë po ua qajnë hallet jo vetëm të varfërve të rinj po edhe të varfërve të vjetër, kurse vaji i tyre për varfërinë e të vjetërve e të vjetrave është më i lotpaktë. E kuptueshme: e dinë se s’do të vajtojnë gjatë për varfërinë e tyre!

​Milionerët tanë politikë kohëve të fundit po qajnë hallin jo vetëm të të varfërve të të gjitha moshave, po edhe të të varfërve të të gjitha gjinive – të gjinisë mashkullore e të gjinisë femërore

​Sa i gjithanshëm na është bërë “njerëzillëku” i milionerëve tanë politikë!

​Milionerët tanë politikë po qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive dhe të të gjitha moshave më së shpeshti duke qëruar hesape politike e partiake me kundërshtarët qoftë kur janë në opozitë, qoftë kur janë në pozitë! Dhe këta të opozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar, kurse vetë varfëria është thelluar prejse kjo, pozita, e ka marrë pushtetin, ndërsa këta të pozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar e varfëria në përgjithësi është thelluar në kohën kur kjo, opozita e tashme, ishte në pushtet!

​Sa mirë e njohin, “historinë” e këtyre ditëve dhe sa shumë e duan të drejtën milionerët tanë politikë të pasuruar në mënyrë komike për ta, por gjithnjë tragjikomike për shtetin e Kosovës!

​Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike e shtetërore, që kishin dhe që vazhdojnë të kenë, po qajnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive e të të gjitha moshave, kurse, pa shikuar djathtas a majtas, po punësojnë të vetët: familjarët e vet, shokët e vet, miqtë e vet, puthadorësit dhe puthakëmbësit e vet pa marrë parasysh sa e meritojnë atë punësim ata!

​Çfarë “njerëzillëku” duçe-ist përmbajnë vajtimet e milionerëve tanë politikë për të varfërit!

​Milionerët tanë politikë po e vajtojnë gjendjen e të varfërve të Kosovës, kurse pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të familjarëve, të të afërmëve dhe të miqve të tyre po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po shtohen në sajë të posteve dhe marifeteve të milionerëve tanë politikë!

​Sa demokratike është politika familjare dhe farefisnore e milionerëve tanë politikë!

​Milionerët tanë politikë vazhdojnë të qajnë hallet e të varfërve tanë, numri i të cilëve sado vjen e shtohet, kurse privilegjet e ndryshme, të shumëllojshme e të gjithkohshme të milionerëve po ashtu po shtohen dhe po shtohen në përpjesëtim të drejtë me shtimin e numrit të të varfërve!

​Sa shumë i duan të drejtat e punëtorëve dhe sa shumë e duan shtetin social këta milionerët tanë politikë e shtetërorë!

​Milionerët tanë politikë po qajnë zëshëm, gjithnjë e më zëshëm, hallet e të varfërve tanë, kurse shkëlqesitë e tyre dhe lartmadhëritë e tyre janë gjithnjë e më të shkëlqesishme dhe më të lartmadhërishme jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, jo vetëm në Kosovë e në Maqedoni, jo vetëm në Kosovë e në Luginë të Preshevës, jo vetëm në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe në një varg shtetesh të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

​Sa tragjikomikisht përshtypjebërës është ky vajtim i milionerëve tanë politikë për të varfërit!

​Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike të cilat u janë dhuruar prej votuesve e ndonjëherë janë përvetësuar pa votime, po e qajnë hallin e të varfërve në njërën anë, kurse në anën tjetër po u shtohen punët e llojeve të ndryshme jo vetëm partiake, politike e shtetërore, por edhe arsimore, shkencore, turistike, me shkuarje e ardhje të shpeshta, kombëtare e ndërkombëtare, që u sjellin rroga, honorare, mëditje, çmime, përfitime ditore e gjatëkohore, që s’harrohen!

​Sa tragjikomike, ironike, cinike, më shumë tragjike sesa komike, është demagogjia e milionerëve tanë politikë!

​Deri kur të varfërit e Kosovës do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë për gjendjen e tyre të mjeruar; deri kur do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë të cilët postet politike e shtetërore i kanë përdorur e shpërdorur e kriminalizuar për t’u bërë vrap me miliona, me toka të reja, me shtëpi e pallate, me nga tri, katër, pesë banesa, me restorante, me pompa të benzinës, me vila ne bjeshkë e në bregdet, me lokale afariste, me vetura të shtrenjta, e me prona të tjera të ndryshme ende të paemërtuara! Nuk e di! Por, e di se shpejt, më shpejt se ç’ e mendoja, po bëhemi shoqëri politike në të cilën asgjë nuk është e turpshme përpos që të jesh i varfër, i varfër, dhe për shkak të varfërisë, i shpërfillur dhe i nënçmuar prej milionerëve politikë të pasuruar, të shumëmilionuar, në sajë të pozitave politike e shtetërore zhvatëse!

​E interesi i qytetarëve të Kosovës, i të gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata, është që Kosova sa më parë të bëhet shtet demokratik, pa autoritarizmin që e mundon shumë sot, shtet demokratik me administratë publike të papartisuar, me gjyqësor vërtet të pavarur, që, përpos të tjerash, i mbron firmat private prej reketimeve e shantazhimeve nga njerëzit e pushtetit, që, përpos të tjerash, mbron statusin e pambrojtur të punëtorëve në këto firma, që me vendimet e veta komprometon lotët e rrejshëm të milionerëve politikë për të varfërit, që merr masa ligjore ndaj të zhyturve në konflikt interesi, që merr masa ndaj abuzuesve të tenderëve. E të tjera.

​Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që edhe Kosova, si vendet vërtet demokratike, të ketë Ligj për prejardhjen e pasurisë, në sajë të të cilit do të hulumtohet sidomos pasuria e funksionarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe kryetarin dhe kryeministrin. Dhe, si shtet me korrupsion pandemik, si e kanë theksuar sa e sa herë autoritetet e BE-së, të ketë edhe prokurorin e pavarur, i cili do të hulumtojë prejardhjen e asaj pasurie të funksionarëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj” si i quajnë të varfërit dhe ndërkombëtarët oligarkët politikë të pasuruar, të milionuar, me poste të larta politike e shtetërore duke rjepur Kosovën!

​Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që Kosova të bëhet shtet demokratik e sovran, në të cilin nuk do të ketë poltronizëm politik e shtetëror me pasoja kombëtare: shtet në të cilin nuk do t’u bëhet e mundshme atyre që po derdhin lotë të rrejshëm për të varfërit sot, që me poltronizmin e dëshmuar në vazhdimësi, dhe duke flijuar interesa kombëtare, të përfitojnë përkrahje ndërkombëtare për të vazhduar karrierën e tyre pushtetore tragjikomike eksploatuese!

​Deri atëherë intelektualët që kanë mendjen për mendim të pavarur do të duhej të jenë me të varfërit e të varfër, të varfër për të cilët nuk vajtojnë milionerët politikë!

Ashtu intelektualët do të varfëroheshin materialisht, por do të ngriteshin shpirtërisht dhe moralisht!

Dhe, këtë ngritje shpirtërore e morale do ta shquanin e do ta dëshmonin edhe më shumë po të shkruanin romane, drama, monodrama me personazhe milionerë politikë e të varfër, përmes të cilëve do të paraqiteshin gjithë kundërshtitë tragjikomike në Kosovë sot.

​Edhe milionerët politikë edhe të varfërit e Kosovës e dinë, besoj, se romane, drama, monodrama e vepra të tjera mos sot nesër për ta do të shkruhen!