Ekzekutoi prindërit, 26-vjeçari: Do vrisja vëllanë dhe dajën

26-vjeçari Qemal Sela, një javë më parë ekzekutoi me breshëri kallashnikovi nënën dhe babin e tij. Mësohet se ndërhyrja në kohë e patrullës së policisë, e cila ishte afër hotelit 4-katësh ku u vranë burrë e grua, ka shmangur vrasjen e dy familjarëve të viktimave.

Sipas bluve, emigranti ka refuzuar të udhëtojë me babain që kishte dalë ta priste në aeroport me një taksi të prenotuar që në Peshkopi. Ai akuzonte prindërit e tij se kishin prishur të gjitha paratë që ai kishte dërguar nga Anglia përgjatë 7 viteve emigracion për të ndërtuar 2 hotele që shërbenin për personat që frekuentojnë llixhat e Peshkopisë.

Më 11 qershor, Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë caktoi masën e sigurisë “Shtrim i detyrueshëm në spital psikiatrik”. Aktualisht autori vrasjes së prindërve të tij ndodhet në spitalin e burgut në kryeqytet.

Gjatë rrugës për në komisariat, policët e kanë pyetur autorin e vrasjes së dyfishtë se ku po shkonte me armë në dorë. Ndërkaq, ai u ka thënë se ai po shkonte të vriste vëllain dhe dajën e tij. ”Nëse nuk do më kapnit ju, unë do vrisja dhe këta dy të tjerët”,-është shprehur Qemal Sela.