Vrasja e dyfishtë, babai i Xhaferit: Kam çuar llaf në shtëpinë e vajzës, pres përgjigje

Në shtëpinë e Xhafer Matës, sikurse në atë të Xhuljeta Çunit, ka pllakosur zija. Nuk kanë kaluar ende 7 ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën, ndërsa patrulla e policisë mban nën vëzhgim banesën e autorit.

Familja e Xhaferit nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, por ka qenë vetë Policia ajo që ka marrë masat paraprake. Gazetarja Etleva Delia ka mundur të flasë me babanë e Xhaferit, i cili u kërkon gazetarëve të respektojnë zinë e tyre.

Në banesë, bashkë me prindërit e Xhaferit, jeton edhe djali i tij i vogël, i cili hyn e del në dhomën ku rrinë gjithë pjesëtarët e familjes.

Babai i viktimës, njëkohësisht autor i kësaj ngjarjeje, thotë se ka dërguar fjalë në familjen e Xhuljetës, për të takuar babanë e saj e për të folur për këtë ngjarje të rëndë.

Taip Mata kërkon durim dhe fjalë të thëna me kujdes, pasi në këtë gjendje të acaruar, çdo llaf mund të sjellë të papritura të padëshiruara.

I ati i Xhaferit shprehet: Jam në pritje të një përgjigjeje. Përmes një njeriut tim, i kam çuar fjalë babait të vajzës. Tani po pres që të takohemi dhe të bisedojmë. Çdo fjalë e thënë pa menduar, në mërzitje e sipër dhe në trishtimin që na ka rënë për pjesë të përjetojmë, do na rëndonte më shumë ne dhe ata”.

Taipi pranon se ngjarja mund të parandalohej. Sipas tij, nëse Policia apo Prokuroria do e kishin vënë në dijeni familjen e Xhuljeta Çunit, gjërat sot mund të ishin ndryshe.