Agron Duka: Vetëm protestat kushtëzojnë veprimin e mazhorancës

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Rama në vendgrumbullimin e mbetjeve të Porto Romanos. Sipas Dukës kjo është një fitore e opozitës, pasi e detyroi Ramën jo vetëm të shkonte në vendgrumbullim, por edhe të bënte një premtim për zgjidhjen e problemit të ndotjes. Duka thekson se PAA do të vijojë të mbajë lartë vëmendjen mbi këtë çështje.

Reagimi i plotë i Dukës:

Ditën e djeshme, edhe një herë, mësuam se vetëm protestat janë ato që kushtëzojnë veprimin e kësaj mazhorance. Protesta e të rinjve të PAA-së, në Ditën Botërore të Mjedisit, qëndrimet tona mediatike, aksionit të opozitës dhe të banorëve të zonës ku ndodhet vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Portor Romano, detyruam mazhorancën të thyhej heshtjen dhe indiferencën me të cilën trajtonte problematikën që gjunjëzon mjedisin e Durrësit, dhe jo vetëm.

Pasi u përsërit refreni i vjetër se “kështu ka qenë prej dekadash”, u bë një premtim sipas të cilit problemi do të zgjidhet brenda 18 muajsh.

Ndonëse kam rezervat e mia, pasi prej të paktën një dekade kanë pas pushtetin e nevojshëm për përmirësimin e situatës (të paktën rrethimin e perimetrit dhe mbrojtjen e plehrave nga zjarret, të cilat helmojnë ambientin me tymin toksik), Partia Agrare Ambientaliste do të vijojë të ndjek nga afër situatën, duke raportuar çdo muaj zhvillimet nga kjo zonë.