Tarifa në Rrugën e Kombit, opozita: Do përdorim çdo formë për ta ndaluar

Nga Durrësi, kryeministri Edi Rama bëri me dije se tarifa e kalimit do të vendoset edhe në autostradën Tiranë–Durrës, sapo ajo të jetë përfunduar sipas standardeve evropiane.

Por Partia Demokratike nga Kukësi njoftoi sot se do të përdorë të gjitha mjetet dhe format për ta ndaluar taksën e kalimit.

“Asnjë lloj veprimi, asnjë lloj akti nuk do të bëhet dhe nuk duhet bërë për sa kohë që disa njerëz për të drejtën e tyre janë sot në burg. Ky do të jetë qëndrimi i opozitës me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat në mënyrë që Edi Rama të mos jetë më njeriu që mund të vendosë tarifa apo të reduktojë tarifa për Kuksianët apo për gjithë shqiptarët. Një orë e më parë duhet të largohet”, tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa Ervin Salianji u shpreh se PD do të jetë tashmë edhe më aktive në rast të rivendosjes së tarifës edhe të reduktuar.

“Kemi qenë pranë tyre por këtë radhë do të jemi edhe më aktivë e mbështetës në çdolloj proteste apo reagimi për të mos lejuar një tarifë e cila rëndon qytetarët e qarkut të Kukësit e Kosovës duke i bërë një dëm ekonomik pothuajse gjithë Shqipërisë”, tha ai.