Shembja e Teatrit? Opozita: Qeveria kupton gjuhën e reagimit të kuksianëve si tek ”Rruga e Kombit”

Deputetët e opozitës do të jenë në krah të artistëve për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Të pyetur nga “Koha Jonë”, deputetë të partive opozitare thonë se projektligji i qeverisë për tjetërsimin e pronës, ku gjendet i ndërtuar prej dekadash Teatri është një shkelje ligjore. Ndërsa deputetë të mazhorancës nuk pranuan të jepnin asnjë koment lidhur me projektin e qeverisë për teatrin e ri.

Prononcimet e deputetëve të opozitës, dhënë për gazetën “Koha Jonë” Jonida Halilit dhe Redjon Shtyllës:

Edmond Spaho (Deputet i PD)

”Qeveria ka përgatitur projektligj të veçantë për të “kapërcyer” shkeljet ligjore që po bën. Së pari, po tjetërson në favor të klientëve të vet dhe në mënyrë korruptive tokën publike në qendër të Tiranës për të ndërtuar kulla. Së dyti, po prish Teatrin Kombëtar, një godinë me vlera historike dhe kulturore për qytetin. Prishja e saj bëhet në kundërshtim me vullnetin e komunitetit të artistëve. PD në përballjen midis qeverisë hajdute të Edi Ramës dhe qytetit dhe artistëve është me qytetin dhe artistët. Ne i bëjmë thirrje kujtdo që ka memorie historike si dhe pak vullnet për të reaguar ndaj të keqes të ngrihemi dhe të mos lejojmë prishjen e teatrit dhe tjetërsimin e tokës publike në favor të delenxhinjve dhe maskarenjve. Kjo qeveri kupton vetëm gjuhën e reagimit të kuksianëve për rrugën e Kombit dhe ne me atë duhet t’i flasim”.

Fatmir Mediu (Kryetar i Partisë Republikane)

“Në mbledhjen e grupit për këtë çështje u theksua se kjo nismë është e paligjshme dhe fsheh një aferë korruptive të socialistëve”.

 Endrit Braimllari (Sekretar i Përgjithshëm i LSI)

“Opozita përkrah çdo protestë e cila është në të drejtën e qytetarëve. Protesta e artistëve është në të drejtën e tyre dhe ka përkrahjen tonë, në radhë të parë qytetare duke mos politizuar një protestë e cila nuk është në të mirë të vetëm partive politike, por është një e mirë kombëtare e cila prek të gjithë shoqërinë. Çështja e teatrit është çështje e ndjeshme kombëtare dhe si e tillë merr vëmendjen e çdo qytetari. Ne kërkojmë që zëri i artistëve të dëgjohet, jemi për një teatër i cili ka funksionin e teatrit dhe nuk jepet me koncesion tek privati për interesa personale, sepse nuk mundet kryeministri të luajë me djersën e mundin e artistëve dhe nëpërmjet artistëve me një komb të tërë”.

Dhurata Çupi (Deputete e Partisë Demokratike)

“Partia Demokratike mbetet në krah të qytetarëve. Ka 5 vite që denoncon aferat e kësaj qeverie. Jemi vendi i parë në Europë për korrupsionin qeverisës. Jemi vendi i parë për numrin e të emigruarve, dhe përse ndodh kjo. Kjo vjen nga se qeveria punon për interesat e ngushta të saj e të klientëve të saj. Është e paprecedentë që iniciohet projektligj për grabitjen e pronave publike. Kujtojmë që një muaj më parë u miratua ligji për banesat sociale, që detyron ish-pronarët të japin sipërfaqe për interesat e  bashkiakëve. Sot duan t’ju marrin shtëpinë e dhjetëra personaliteteve të artit dhe t’ja japin klientelës së tyre. Shqipëria është në udhëkryq politik, moral dhe ekonomik. Asgjë përveç qeverisë sot nuk e pengon integrimin e vendit në BE. Opozita është me të drejtën. me moralin, me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë”.

Klevis Balliu (Deputeti i Partisë Demokratike)

“Është një akt i turpshëm, qeveria kërkon të privatizoj pronat publike me Lali Kullën. Kjo qeveri sulmon artistët sulmon Robert Ndrenikën, sulmon gazetarët, sulmon opozitën, sulmon popullin duke e ofenduar nga Parlamenti por mbron çdo kriminel Agron Xhafaj, Saimir Tahirin, Mark Frrokun, Armando Prengën, Balilin e Habilajt. Tani të pyesim kush i pengon negociatat Robert Ndrenika apo Edvin Kristaq Rama pasi sipas logjikës së qeverisë kush proteston, bllokon negociatat kurse banditët kriminelët që hynë e dalin tek institucionet e shtetit si pronar të institucioneve nuk e pengojnë. Është një TURP. Sot rrëzimi i kësaj qeverie është kthyer në interes kombëtar”.

Luçiano Boçi (Deputet i Partisë Demokratike)

“Në Shqipëri, në qoftë se Kryeministri do të grabisë pronë publike dhe interesa, harton një projektligj dhe i rrëmben “ligjërisht”, siç po bën me Teatrin. Meqenëse do të favorizojë një trafikant ndërhyn në Kodin e procedurës penale dhe e shpëton po “ligjërisht”. Meqenëse do të bëjë dikë miliarder, i firmos në darkë një kontratë koncesionare dhe gjithçka konsiderohet “ligjore”. Po me një firmë për një nate i heq bukën 30.000 familjeve. Këtu jemi katandisur. Ligjet tirren për të vjedhur prishur e grabitur. Ligji sot është shndërruar paragraf noterial që legalizon vjedhjen dhe rrëmbimin. Projektligji në fjalë i tillë është. I hap rrugë ca kullave, një Teatri mbi historinë dhe që shkatërron një aset të trashëgimisë kulturore, dhe rregullon ca interesa klientele, që tejkalojnë çdo interes qytetar publik e artistik. PD-ja ka qenë në krah të interesit publik dhe të artistëve. Do vazhdojmë të jemi bashkë me ta për të bërë ç’është e mundur që të ndalim çmendurinë e radhës. Kjo ka qenë linja opozitare për këtë çështje”.