Robert Ndrenika: Rama më bëri atë që s’ma ka bërë njeri

Artisti i popullit Robert Ndrenika thotë se është ndier shumë i lënduar nga kryeministri Rama, kur nuk pranoi t’i jepte fjalën gjatë një takimi me artistët për çështjen e Teatrit KOmbëtar. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, artisti Ndrenika tha se kreu i qeverisë “e turpëroi para kolegëve”.

Në një takim që patët me kryeministrit Rama, ai nuk ju dha fjalën. A u ndihet i lënduar?
Natyrisht që jam ndjerë jashtëzakonisht i lënduar, atë që ma ka bërë ai njeri, nuk ma ka bërë njeri deri më sot. Me turpëroi para kolegëve te mi, dhe 100 vetëve që ishin aty. Ishte shumë e rëndë për mua.

Nëse do e kishit përballë çfarë do i thonit?
Kam për të thënë diçka, por jo personalisht për atë, por për çështjen e Teatrit. Kryeministrat venë e vinë. Ky vend ka pasur edhe kryeministër 30-vjeçar, e pati atë që pësoi. Jam i sigurte që edhe ky nuk është kryeministër i përjetshëm”.

Jeni i dëshpëruar për shembjen teatrit?
Shumë i dëshpëruar jam. Është njësoj si t’i bihet murit me kokë. Është shumë e rëndë. Ai vend aty është shumë i shenjtë. Aty është krijuar gjithë kultura e kryeqytetit. Është shumë e rëndë mënyra si bëhet kjo punë. Kërkon ai ambasadori i madh i amerikanëve të kapë peshqit e mëdhenj që i ka para syve, edhe kapen këto sardelet. Aty ka 20 vjet që tentohet të kryhet një grabitje e mbetur në tentative dhe nuk flet njeri. As prokuroria, as qeveria, as PS. Me sa duket ai do ta bëjë këtë punë. Dhe kur i del, le t’i dalë.

Pse nuk e dëgjon zërin tuaj kryeministri?
Nuk na përfill ne. E bën me fodullëk, me mendjemadhësi. Mendoj se ai i shkel me këtë, edhe atë ministreshën që ka aty. Kë nuk ka fyer ai. Artistë të tjerë, mua. Hajde të ballafaqohemi, të ulemi të flasim. Ai grabitjen po e motivon me ligj, me parlament, që të justifikohen për grabitjen që duan të bëjnë. Sa i takon Teatrit ai e ka historinë e vet. Sa i takon ndërtesës duhet të flasin ekspertët. Mund të bëhet edhe kjo godinë, kështu si është. Me 10 mln euro mund të bëhet një teatër i shkëlqyer, dhe Tirana e meriton këtë gjë. Ka shumë mungesë transparence. Duhet të ulemi të bisedojmë, por me palë të tretë.