Vetting-u/ Sot jepet vendimi përfundimtar për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë përfundimisht sot nëse ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të kalojë ose jo në sitën e vetting-ut.

Pas dy seancave të para, Kolegji ka dëgjuar komisionerin publik, Florian Ballhysa, i cili deklaroi se Llalla megjithëse ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë ai duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.

“Llalla e gëzon ende statusin e magjistratit për shkak se është ish- kryeprokuror. Ai nuk e ka dhënë dorëheqjen në formën e kërkuar”, tha Ballhysa.

Ndërsa avokati i Llallës, Sokol Hazizaj, u shpreh se: “parashikimet ligjore thone se nese subjekti jep doreheqjen, procesi i vetingut nderpritet. Me shume se kaq une nuk mund ta shpjegoj dot. Une kerkoj lenien ne fuqi te vendimit per Adriatik Llallen. Une nuk dua ta paragjykoj vendimin tuaj, por dua qe te ndiqni standardin ligjor”.