“I përkasim njëri-tjetrit”, Ema Andrea: Dëshira për të thënë të vërtetën!

Figura të shquar të medias, sportit, kulturës, trupës diplomatike në Shqipëri i janë bashkuar një nisme të quajtur “I përkasim njëri-tjetrit”, e cila sjell në kujtesën tonë krimet e komunizmit.

Aktorja e njohur Ema Andrea, e ftuar në studion e lajmeve të Ora News ka shpjeguar se, si lindi kjo fushatë.

Ajo tha se qëllimi i kësaj fushate lindi nga dëshira për të thënë të vërtetën dhe nga problematikat që nuk gjejnë zgjidhje, referuar periudhës së komunizmit.

Ema Andrea: Është një iniciativë, fushatë lëvizje, e cila lind nga dëshira për të thënë të vërtetën. Nga problematikat, të cilat përballemi çdo ditë dhe për të cilat nuk gjejmë dot përgjigje. Tek e fundit të marrurit me të shkuarën e afërt, me të cilën ne jemi marrë shumë pak ndoshta do të na bëjë të kemi përgjigje për dhunën, për mostolerancën, për format arrogantë të komunikimit në të gjitha nivelet e pushtetit. Kjo na shtyu, kërkimi i së vërtetës, dëshira për të patur dhe ne një zë në kapitull, për të dhënë kontributin tonë  për një të shkuar të afërt, për të cilën është folur shumë pak. Për jetë të tëra të djegura, të shkatërruara në forma absurde vetëm për një demagogji, apo formë absurde të të bërit, edhe të të jetuarit. Është një fushatë e bërë jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në televizione.

Andrea tha se kjo fushatë do të vazhdojë me mesazhet që do të përcjellin të rinjtë dhe studentët, për të reflektuar dhe për të qenë zëri i një të kaluare të afërt.

Ema Andrea: Do të vazhdojë, duke rrëfyer histori të vërteta edhe nga njerëz jo të famshëm le t’i quajmë. Studentë, të rinj, të cilët mendoj se duhet të kenë mundësinë për të reflektuar 1 minutë, apo për të qenë zëri i një të kaluare që kanë kaluar prindërit e tyre.

Ky është momenti i rëndësishëm që ata nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por edhe një të kaluar për epokën që po jetojnë. Kështu duhet të dinë se çfarë sjell dhuna, duhet të dinë se çfarë sjell mosdiversiteti, çfarë sjell totalitarizimi dhe kështu une mendoj që të jenë më teolerantë dhe njerëz më qytetarë të Shqipërisë dhe botës. Këto histori janë të vërteta që kanë ndodhur në Shqipëri, kanë ndodhur në gjuhën shqipe, edhe prej njerëzve me të cilët prindërit tanë kanë bashkëjetuar.

Pas kësaj fushatë do të vijnë evente të tjera nga MEMO, me një pikësynim akoma më konkret. Nuk duhet vetëm me folë edhe pse është folur shumë pak dhe në mënyrë spontanë, por duhet  reflektuar se çfarë ka qenë kjo periudhë dhe ndoshta do kuptojmë përse kemi këto mungesa komunikimi në shoqërinë tonë.

/Ora News/