UEFA reagon për ndarjen e parakohshme nga jeta të Vokrrit, ja mesazhi i Ceferin

Futbolli në Kosovë dhe Europë janë në zi për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, i cili ka vdekur papritur në moshën 57-vjeçare. Ai  kishte një karrierë të suksesshme si lojtar, ishte një udhëheqës frymëzues në progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë, që kulmoi me anëtarësimin e federatës që drejtonte si anëtarja e 55-të e UEFA-s në vitin 2016.

“Ne jemi të tronditur dhe shumë të pikëlluar për të dëgjuar mbi vdekjen e Fadil Vokrrit. Ai ishte një futbollist i shquar, i cili ka gëzuar një karrierë po të shquar, dhe u bë një administrator futbolli dhe president federate kombëtare i kalibrit më të lartë. Fadili ishte figurë kyçe në zhvillimin e futbollit të Kosovës, e çoi Federatën e Futbollit të Kosovës për t’u bërë anëtare e UEFA-s më 2016.

Në periudhën që prej atëherë, ai e ka udhëhequr integrimin e federatës që drejtonte brenda UEFA-s me aftësi dhe përpjekje të mëdha. Në emër të futbollit europian dëshiroj të shpreh simpatinë më të thellë për familjen e tij, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe komunitetin e futbollit të Kosovës”, – tha presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin.