Si vajti ajo puna e peshqve të mëdhenj?

FEJTON nga Hyskë Borobojka

Kisha kohë që kërkoja një të drejtën time nëpër zyrat shtetërore, me dëshirë e me shpresë se do të zgjidhej problemi dhe halli im, që kishte jo dite, javë e muaj, por i mbushi dy vjet e hyri në të tretin, Sa herë trokisja nëpër zyrat e pushtetit, më përcjellën me fjalë të mira e gurë në trastë.

-Ke shumë të drejtë, por sot jemi të zënë me një punë shumë të rëndësishme, prandaj, zamet e ke, të vish, jo nesër, por pasnesër! – më përcollën në një zyrë.

E zbatova pikë për pikë porosinë e tij, por, si i thonë fjalës, kur fillon të lozë fukaraj, çahet daullja. I zoti i asaj zyre, siç më thanë kishte shkuar me një shërbim tepër urgjent e sekret.

-Kur kthehet?- e pyeta.

-E ikura dihet, jo e kthyra! – më sqaruan.

Si u lodha e u kapita varavingo nga njëra zyrë në tjetrën e nga kati i parë në të tretin me shpirtin në majë të hundës e gjakun në fund të këmbëve, më del përpara një burrë i bëshëm, gati të më hidhej në qafë.

-Ç’të ka gjetur, mor zotni, që nxin si reja e bërë drë? – me pyeti e më pushtoi me dy krahët e fuqishëm.

I shtrënguar nga duar e tij, si darë, vrisja mendjen ku isha njohur me këtë njeri?! Por kujtesa po më tradhtonte. Nuk më kujtohej ta kisha parë e njohur në asnjë stinë të vitit. “Mik i “mirë” të del kur s’e pandeh, prandaj ia tregova fije për pe hallin e qederin tim.

-Dëgjo vëllanë, – më tha duke më puthur në të dyja faqet. – Këtë punë e zgjidh vetëm shef Dake Drakulaku. Mos u lodh më kot gjetkë!.

-Ku e ka zyrën? – e pyeta.

-Në katin e dytë, dera e tretë nga e majta!

Isha i pari ndër të parët, që zura derën e zyrës të shef Dakes, me dëshirë e ne shpresë se do më zgjidhej halli, që vinte vërdallë zyrave e s’gjente zgjidhje. Kudo më kishin përcjellë me shprehjen: “E kemi në vëmëndje, e kemi dërguar për njoftim e veprim” dhe ku ishe? Asgjëkundi! Ç’bërë? Një vrimë në ujë!

Nuk e harrova porosinë e mikut të panjohur e trokita në derën e zyrës të Dake Drakulakut, sa m’u bënë gishtat me kallo, por ajo e uruar mazalla se donte të hapej. Minutat bëheshin orë dhe unë qëndroja si përmendore përpara derës, me shpresë, por ajo ishte hermetike. Kur shpirti më kishte vajtur në majë të hundës e gjaku në fund të këmbëve, kalon aty një zonjë apo zonjushe (eja e merre vesh) e si më përshëndeti, më pyeti:

-Kë kërkoni, zoti qytetar?

-Shefin, Dake Drakulakun! – i thashë me shpirt ndërdhëmbë.

-Mos u lodh e mos u mundo duke pritur. Keq më vjen, por zoti Dake ka ikur me shërbim!- më sqaroi ajo.

Por unë desha të dija se kur do kthehet. Ndërsa zonja apo zonjushja me bëri “sqarimin” e dytë, duke më thënë se e ikura dihet dhe jo e kthyera! I lodhur, i kapitur e i zemëruar, lashë detyrën e rojes te dera e zotit Dake dhe me nxitim zbrita shkallët. Më vinte inat sa s’haja veten me dhëmbë. Si s’e pyeta “mikun e panjohur”, si e kishte emrin, e ku e kishte “limerin” ky “mik” që më rekomandoi të vija në zyrën e zotit Dake, si e kishte emrin, ç’punë bënte e ku e kishte “limerë”, ky “mik” që me dërgoi në zyrën me derë të mbyllura?!

Duke kaluar rrugës, në krahun e majtë të saj, ku ndodhej një lokal i fisëm. Kur ç’të shosh nga qelqet e tij?! Në krye të tij, shefi Dake Drakulakun, që e kërkoja në zyrë, kishte zënë bashin e lolit me dy të tjerë, duke formuar një trekëndësh barabribjës, si këmbët e perustisë, rreth tavolinës të mbushur plot me gota e pjata. Hyra brenda e zura një qoshe, me shpresë se Dake Drakulaku do të mbaronte “detyrën” e kafenesë e të kthehej të bënte “detyrën e zyrës” të zgjidhte hallin tim. Por të tre burrat, si këmbët e perustisë, e kishin marrë shtruar, duke zbrazur pjatat e mezeve e zbrazur gota.

Në çast erdhi kamarieri, një djalë i shkathtë e më pyeti:

– Me se t’u shërbejmë, zoti qytetar?

-Një gotë ujë! – i thashë

Ai iku i vrejtur e pëshpëriti:

– Qenka dele pa qumësht apo dhi e shtirë virani!

-More zotni, e mbylle mirë derën e zyrës, se mos e pësojmë si ata të prokurorisë së Durrësit?! – e pyeti njeri nga “këmbët e perustisë” tjetrin.

Pse budalla apo teleshmën më quan zotrote?! Jam nga ajo farë nëpunësish i rrahur me vaj e me uthull. Jo vetëm derën e mbylla me dy çelësa, por edhe dritaren, që dhe shejtani me gjithë të birin s’hyjnë dot, prandaj jam kaq i qetë e po më vete në zëmër kjo e uruar raki ballë kazani.

-Unë kam një shqetësim të madh, zoti Dake,- tha njëri nga tre burrat si këmbët e perustisë.

-Urdhëro e fole!- iu përgjigj tjetri me gojën plot me meze mishi të pjekur.

– Kryeministri ynë i nderuar, i lavdëruar e i respektuar ka thënë se ata që nuk presin e nuk ua zgjidhin hallet qytetrëve, s’kanë vend në zyrat e pushtetit. Të them të drejtën se me çshohim e ç’dëgjojmë, të tjera thotë kryetari i “Rilindjes së Re” e të djera bën!

Dake Drakulaku u err në fytyrë e iu përgjigj ashpër, duke e këshilluar e paralajmëruar të mos merrej me thashetheme pazari. E me ata që s’dinë gjë tjetër veçse të hedhin baltë e blozë mbi “sukseset e arritjet” e “Rilindjes së Re” në të gjithë sektorët e vendit. Pastaj. si e shkundi goten e rakisë, i tha:

-Çfarë ka premtuar e çfarë ka thënë qeveria jonë e “Rilindjes” dhe nuk e ka bërë realitet? Tha se do të hapte 300 mijë vendepune dhe, jo vetëm e plotësoj këtë shifër, por edhe e tejkaloi. Tha se do t’ia verë kufirin te thana korrupsionit. S’ka më korrupsion në vendin tonë! Hë, ke parë gjëkundi këtë fenomen që ka munduar vendin 27 vjet me radhe. Mori vendim me rëndësi të luftonte kanabisin në Lazarat, Thonë gojët e liga se u bë e tërë Shqipëria Lazarat, nga maja e Vermoshit në Veri deri në Gjirin e Ftelias në Jugë. Nga brigjet e deteve Adriatik e Jon e derinë kufi me Greqinë, Maqedoninë e Kosovën. Këtë e thonë ata që nuk ia duan të mirën këtij vendi. që janë miopë, s’i shohin e s’i prekin rezultatet e shkëlqyera të pushtit tonë, të udhëhequr nga “fjitorja në fjitore” nga kryeministri ynë i nderuar, që rroftë e qoftë sa malet për të mirën e këtij vendi! Kë beson zotrote, ata që vetëm baltë e blozë dinë të hedh për “sukseset” e mëdha të “Rilindjes” tonë? Madje sukseset e arritjet tona i quajë dështime. Gënjeshtra im zot!.Gënjeshtra me bisht, Të vërtetën si drita e diellit e të pastër si kristali e thotë vetëm “Rilindja e Re”. Dhe kur e thotë ajo i ka vdekur jo vetëm nëna, por edhe baba! – e “sqaroi” shef Dake Drakulaku..

Njëri prej tyre, që kishte zënë këmbën e tretë të perustisë në tavolinë, ashtu, gjysmë i trullosur nga pija e pyeti shefin:

-Do të hapen aq vende pune sa deklaron “Rilindja e Re”, që njerëzit, sidomos rinia të marrë rrugët e botës për punësim e azil?

-Flinje zotrote, kur flisja e thosha të “vërtetën”. Po ta përsërit edhe një herë, se përsëritja është nëna e diturive. Prandaj hapi veshët e dëgjo mirë! Unë, ti dhe ky tjetri, që po i varet koka në tavoline, e kemi të siguruar edhe punën edhe pagën. Për të tjerët mendon, si nëna për fëmijët e saj “Rilindja e Re”.

I treti mezi e ngriti kokën lart, që i rëndonte si vare, dhe me zë të mbytur e pyeti kryetarin e tavolinës:

-Si vajti ajo puna e peshqve të mëdhenj, që do të mbylleshin në “hapsanë”, për të treguar kush e kishte rrjepur më shumë Shqipërinë e “mjerë, siç thotë Vaso Passha?

-Të drejtë ke, edhe unë e kam patur merak këtë punë! Ka ndodhur një fenomen biologjik Peshqit e vegjël rriten e bëhen të mëdhenj. Kurse tek ne ndodh e kundërta. Peshqit e mëdhenj e krokodilët zvogëlohen e bëhen cironkas, që nuk zien dot as me grep e as me rrjeta, por vetëm me pezaul. Por unë ti dhe ky tjetri nuk bëjmë pjesë as në peshqit e mëdhenj, e as në cironkat e vogla, jemi mesatarë, belushka.

Rija në një qoshe të lokalit e prisja me ankth, që  Dake Drakulaku t’u jepte fund gotave, mezeve e bisedave pa mbarim, që rrukulliseshin si zajet në përrenjtë e lumenjtë malorë e të kthehej në zyrë të zgjidhte hallin tim e të qytetarëve të tjerë që bënin roje te dera e zyrës. Duke pritur më erdhi kamarieri dhe, si më shikoi, si kali kaun në grazhd më foli ashpër:

-Akoma do të rrish në lokal zotrote, të na zësh tavolinën e karriken batiava?!

-Pres të ngrihet komandanti i tavolinës në krye të lokalit!- i thashë

-Ata e kanë lejen më pash, të rrinë sa të duan, se janë dele plleja e jo si ti, dhi shterpë!

I dhashë të drejtë kamarierit, Kur u ndamë këto na ranë. Unë me halle e kusure, ata me qejfe e gëzime.