Negociatat, Milo: PD në fazë kritike, arsyet pse disa vende të BE japin “Jo”

Kreu i PDS-së, Paskal Milo: Nëse zgjedhjet bëhen sot, ose qoftë edhe pas tre muajsh në vjeshtë, opozita nuk ka shanc të ketë rezultat tjetër, më të favorshëm për të

Intervistoi: Redjon Shylla

“Jam skeptik për mundësinë e hapjes së negociatave, vendim ky që duhet ta marrë Këshilli Europian më 28 qershor”. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një intervistë për “Koha Jonë”, ndan mendimet për situatën në të cilën po kalon Shqipëria në prag të vendimit për çelje, ose jo të negociatave të anëtarësimit me BE-në. “Frika ime është se vendet anëtare të BE-së, sidomos Franca, apo dhe vende të tjera hezitojnë jo vetëm për shkak të klimës së përgjithshme jo optimiste që ekziston në vendet europiane, por edhe për arsye të zgjedhjeve të ardhshme për parlamentin europian në vitin 2019”,-thotë z.Milo. Ish-ministri i Jashtëm, nënvizon se paçka se Gjermania është dashamirëse ndaj vendin, Kancelarja nuk ka mjaftueshëm bindjen për të dhënë një mbështetje të plotë. Shqetësuese për kreun e PDS-së, është pozita e opozitës, e cila për të është kundër çeljes së negociatave, dhe se PD-ja po humbet në dy drejtime. Nëse pas vendimit, do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, për Milon sërisht humbëse del PD-ja.

Paçka lojës politike në vend dhe sherreve në BE, do të marrë Shqipëria një “Po” për çelje negociatash, apo siç edhe Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov tha se janë 3 shtete kundër Shqipërisë? Nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor mund të bashkohet me BE-në nga dy pozita: Njëra që cilësohet si “parim regatash” me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe tjetra që vendet anëtare të BE të miratojnë negociatat e pranimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Cila pikëpamje e shihni si realiste dhe në afër politikës rajonale?

Si çdo shqiptar, edhe unë do të kisha shumë dëshirë që në 28 qershor, të dëgjoja lajmin e shumë pritur për hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo është një kërkesë e ligjshme e Shqipërisë, përkatësisht e të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjesh politike, për të vetme arsye se ka qenë dhe mbetet një aspirat i ligjshme e të gjithëve që Shqipëria të bashkohet edhe nga pikëpamja institucionale me Europën, një kërkesë e ka hershme kjo pas përmbysjes së komunizimit në Shqipëri. Përtej dëshirës, dhe aspiratave legjitime, janë të tjerë që gjykojnë nëse ekzistojnë ose jo rrethanat e brendshme dhe ato ndërkombëtare që Shqipërisë ti hapet drita jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Dua të jem i drejtëpërdrejtë që në fillim, se jam skeptik për mundësinë e hapjes së negociatave, vendim ky që duhet ta marrë Këshilli Europian më 28 qershor, jo aq për shkak të kritereve apo të kushteve të tejmbushura ose jo nga Shqipëria, për të cilën ka kontestime dhe interpretime nga vende të ndryshme, por për shkak të rrethanave të brendshme të vetë BE-së, të disa vendeve anëtare dhe me peshë, por dhe një përgjegjësi e një klime jo pozitive që ekziston në opinionin publik të shumë vendeve anëtare që kundërshtojnë idenë e zgjerimit të BE-së me antarë të rinj, veçanërisht për vendet që vijnë nga ish-bota komuniste.

Mund të ketë edhe një formulë e cila do të ishte me dy kuptime, që dikush ta merrte gotën gjysëm plot dhe gjysëm bosh. Me kuptimin që të mund të jepej një mesazh për të inkurajuar vendet kandidate, në rastin konkret Shqipërinë apo dhe Maqedoninë për hapjen e negociatave në një të ardhme të papërcaktuar si datë, por që nga ana tjetër do të jepte euroskeptikëve Europianë, një kënaqësi që nuk do të ketë zgjerim së shpejti të BE-së.

Frika ime është se vendet anëtare të BE-së, sidomos Franca, apo dhe vende të tjera hezitojnë jo vetëm për shkak të klimës së përgjithshme jo optimiste që ekziston në vendet europiane, por edhe për arsye të zgjedhjeve të ardhshme për parlamentin europian në vitin 2019. Këto qeveri nuk duan që tu japin euroskeptikëve një argument për të ngritur opinionin brenda vendeve të tyre, kundër dhe për rrjedhojë të ndikojë në rezultatet për zgjedhjet e ardhshme për parlamentin europian.

Këto janë pak a shumë arsyet që më bëjnë mua të besoj se përkundrejt pritshmërive që mund të ketë opinioni publik shqiptar, të dëgjojmë në fund të ditës një formulim ambigue që në thelb do të jetë thjesht një formulë diplomatike për ti kënaqur të gjithë në pamje të parë, por për të mos dhënë tani për tani, zgjidhje në thelb dhe të drejtëpërdrejtë siç është ajo e hapjes së negociatave dhe e fillimit të menjëhershëm të tyre.

Marrëdhënien shqiptaro-gjermane e keni trajtuar edhe në librin juaj “Udhëkryqe Shqiptaro-Gjermane”, por si e shini sot vendin që zë Shqipëria në politikën e Gjermanisë në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perendimor? Shihni sot një Gjermani pro çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në?

Ne, dhe këtu kam parasysh të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm politikanët, ku gjykojmë për qëndrimet e vendeve të tjera ndaj Shqipërisë, nuk duhet të përmbledhim të gjitha institucionet e shteteve respektive në një emërues të përbashkët. Meqë po flasim për Gjermaninë, si një vend i fuqishëm dhe demokratik, atje institucionet e shtetit kanë fuqi të caktuara dhe të respektueshme mbështetur në kushtetutë dhe në ligje të tjera të vendit.

Për rrjedhojë, kur gjykohet qëndrimi që këto institucione të shtetit Gjerman mbajnë ndaj Shqipërisë, nuk mund të themi se për çështje të caktuara ato kanë të njëjtin gjykim, dhe të njëjtin qëndrim, dhe kjo shpjegohet natyrshëm sepse ka forca politike me programe të ndryshme, ka parlament ku reflektohen raportet dhe pjesëmarrja e një numri partish politike, ka qeveri që në rastin konkret është një koalcion midis dy partive të mëdha të njohuara, pra me pak fjalë Gjermaninë aktuale duhet ta marrin si një shtet, por me aktorë politikë që kanë mendimet dhe qëndrimet e tyre edhe ndaj Shqipërisë, që nuk janë të njëjta dhe që janë bërë të njohuara për opinionin publik shqiptar.

Kemi një parlament Gjerman, që ka fjalën e fundit në përcaktimin që Gjermania do të mbajë edhe ndaj çështjes së hapjes apo jo të negociatave me Shqipërinë. Kemi qeverinë gjermane që ka një Kancelare që ka qenë dhe mbetet dashamirëse ndaj Shqipërisë, por mesa duket nuk mjafton për të krijuar bindjen e plotë që Gjermania, aktorët kryesorë të saj dhe sidomos grupi parlamentar i CDU dhe CSU, të mund të japin një mbështeje të plotë, të paktën deri tani siç është e njohur ka zëra kundërshtues ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Për gjatë këtij procesi, akuzat politike ndaj qeverisë, apo dhe qeveria ndaj opozitës në lidhje me krimin, apo dhe denoncimet e opozitës për protesta, a  rrezikojë të dëmtojnë procesin e integrimit?

6 muaj më parë, në 2-3 komente të mijat publike, i kam bërë thirrje opozitës që të paktën për këto 6 muaj të mbante një qëndrim më neutral për aksionin politik brenda vendit me terma e forta dhe veprimet e njohura që politika shqiptare i ka përzemër. Pikërisht për të shmanguar ndikimin negativ që këto aksione politike tipike shqiptare, kanë aktorët e rëndësishëm europianë në këtë fazë shumë të rëndësishme të gjykimit rreth Shqipërisë.

Fjalimet e liderit të opozitës, dhe në përgjigjësi të opozitës, jo brenda vendit por edhe në forumet jashtë Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet e PPE (Partisë Popullore Europiane) ndikojnë sepse familja e partive popullore, pjesë e së cilës është edhe PD-ja kanë një solidaritet të brendshëm programor, dhe që ndikojnë në politikbërjen Europiane, veçanërisht në vende të fuqishme si Gjermania, që i jep tonin politikës Europaine sot. Nuk mund të mos ndikojë dhe do të analfabet politik ai që mendon se një bisedë apo 2-5 takime gjatë këtyre muajve me deputetë të së djathtës të qendrës Gjermane, të CDU-së në Berlin apo në Tiranë të mos kenë patur qëndrime dhe diskutime për hapjen e negociatave.

Nëse opozita vërtet do ta ndiente përgjegjësinë e lartë që ka para shqiptarëve për këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duhesh që gjatë këtyre muajve të kishin mbajtur për mendimin tim një qëndrim tjetër. Në dukje mund të krijohet përshtypja se fiton pikë, por në fakt humbet shumë prej tyre.

Çfarë humbet PD-ja me këtë rol që ka ndërmarrë në arenën ndërkombëtare? Çfarë kostosh do të marrë PD-ja nga ky proces?

PD-ja humbet në dy drejtime. Edhe në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, por edhe në syrin e shqiptarëve brenda vendit, për sa kohë që krijon përshtypjen se ku vend nuk është gati të hap negociatat me BE-në, për anëtarësim të plotë, që në fund të fundit është në dëm të vetë shqiptarëve që mesi po presin që të përfitojnë të drejtat si një vend që hap negociatat me BE-në.

Nëse marrim një “Jo” nga Këshilli Europian, mundet që vitin e ardhshëm të kemi zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare në një ditë? Nëse negociatat nuk hapen kush duhet të mbajë përgjegjësi: Qeveria apo opozita?

Çështja e përgjegjësisë në rastin e një vendimi refuzues, nuk do të kishte rëndësi për shqiptarët, veç për axhendat grindavece të politikës shqiptare dhe në këtë pikëpamje, përgjegjësia e qeverisë nuk mund të shmanget, por as edhe ajo e opozitës e cila dukshëm nuk ka bërë, dhe nuk dëshiron të bëjë asnjë veprim politik për të dhënë mesazhe në favor të hapjes së negociatave, pavarësisht nga deklaratat që dëgjohen. Nuk besoj se mos hapja e negociatave për anëtarësimin, mund të jetë një shkas madhor për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme sepse tashmë shqiptarët janë mësuar me këtë stërzgjatje të proceseve integruese të Shqipërisë në BE, dhe për më tepër opozita sot për fat të keq nuk ka një alternativë të besueshme për tu ofruar shqiptarëve, në kërkim të votës së tyre.

Nëse zgjedhjet bëhen sot, ose qoftë edhe pas tre muajsh në vjeshtë, nuk ka shanc të ketë rezultat tjetër, më të favorshëm për të. E them pa asnjë emocion politik të njëanshëm, sinqerisht dhe më vjen keq që opozita ndodhet në një fazë kritike që nuk bind jo atë pjesë të elektoratit të qëndrueshëm të saj, por dëshiroj të them që fitorja në Shqipërisë përcaktohet nga qëndrimi i atyre segmenteve të elektoratit shqiptar që nuk janë militant, që përbëjnë zonën gri.

Aktualisht, opozita nuk e ka arritur këtë nivel të besimit, dhe prandaj them se nuk do të ketë shanc për një fitore elektorale në rast se zgjedhjet bëhen në kushtet dhe në rrethanat ndodhet sot politika shqiptare.

Ballkani është rikthyer në axhendën politike të Europës, dhe kjo ka rritur më shumë vëmendjen ndaj aleancave. Njëra prej tyre është marrëdhënia që qeveria jonë me Turqinë. Përveç strategjisë ekonomike e cila mund të jetë ndihmuese, mund të përbëjë ndikim shqetësues ky ndikim Turk në vende të ndryshme të Ballkanit. A përbën Turqia kërcënim për Shqipërinë? Kryeministri Rama në intervistat për mediet e huaja, tregohet i kujdesshëm dhe nuk e mbështet këtë marrëdhënie, pse ndodh kështu?

Turqia duhet gjykuar dhe vlerësuar me disa prespektiva. E para në këndvështrimin e një vendi që konsiderohet partner strategjik i Shqipërisë. I një vendi që historikisht ka patur marrëdhënie konstante miqësore dhe bashkëpunimi përgjatë shumë viteve. Sigurisht që Turqia ka problemet e saj në marrëdhëniet me BE-në. Ka edhe një reagim të qytetarëve europianë që mund të themi që është një faktor i konsiderueshëm që llogaritet nga politika Europiane në marrëdhëniet me Turqinë. Këto çështje i përkasin Turqisë me BE-në dhe Shqipëria nuk mund të bëhet avokate dhe as nuk e ka tagerin të gjykojë BE-në. Turqia është një fuqi rajonale me pretendime të gjëra, që Ballkanin e ka parë dhe e sheh natyrshëm si një zonë ku ka bashkëpunim tradicional, por edhe interesa të qënësishme jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike të cilat qeveritë e ndryshme të Turqisë ndër vite i kanë artikuluar, dikush më me elegancë, dikush më hapur.

Qeveria aktuale dhe Presidenti i Turqisë, z.Erdogan, kanë një qasje më agresive në Ballkan. Kanë afishuar hapur pretendimet për të rikthyer kohën e artë sipas tyre të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit të kohës së perandorisë Osmane, si kjo çështje edhe të tjera kanë krijuar një sensibilitet jo pozitiv në Europë për synime në Ballkan.

Unë mendoj që përtej interesave të momentit, ekonomike më tepër, Shqipëria nuk mund ti ofrojë Turqisë shance për tu përdorur për synime të tjera gjeopolitike, dhe në rivalitet me aktorë të tjerë të momentit ndërkombëtarë që kanë filluar të jenë gjithmonë e më të pranishëm në rajonin tonë. Pse? Shqipëria ka një orientim tepër të qartë Europian, dhe të gjitha partitë politike shqiptare të ardhmen e saj e shohin në BE, sikurse urojmë që edhe Turqia ta shikojë veten në një të ardhme sa më të afërt po aty, por Shqipëria nuk mund të bëjë koncesion për çfarëdo arsye të përkohshme apo dhe ekonomike, me parimet e mëdha dhe të luajtshme të politikës së jashtme Shqiptare dhe të orientimit të saj drejt partneriteteve të mëdha dhe të pa zëvëndësueshme me marrëdhëniet me SHBA dhe BE-në.

Skena politike është ndezur me akuza dhe pretendime për përgjime të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Si politikan me përvojë dhe shtetar, a mund të akuzohet një ministër për një vepër që e ka kryer afërmi i tij?

Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje të gjithë këtë histori, por pa u shprehur sepse nuk jam pjesë dhe as nuk bëhet pjesë e aksioneve politike që shikojnë vetëm synimin afatshkurtër pa llogaritur fundin e tij. Preferoj që të kem argumentet e mjaftueshme për të gjykuar midis akuzave të opozitës, dhe realitetit të fakteve të pa kundërshtueshme të cilat tani për tani, opinoni publik shqiptar nuk i kam, për sa kohë që ende nuk ka një ekspertizë të plotë të asaj për të cilën akuzohet vëllai i ministrit Xhafaj.

Unë po shoh që edhe opozita ka filluar të tërhiqet nga agresiviteti i tepruar ose i jashtëzakonshëm i saj në lidhje me ato regjistrime që janë bërë, dhe ka një pakt në heshtje mesa kuptoj që kjo çështje gradualisht të mbahet edhe për ditë, dhe të shuhet për tu drejtuar vëmendja në fushat e futbollit në Rusi, dhe për të dalë në këtë mënyrë nga agjenda zhurmë madhe e politikës shqiptare. Nuk besoj se ministri Xhafaj ka përgjegjësi për drejtpërdrejtë, për çka mund të ketë bërë vëllai i tij, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që askush nuk mban përgjegjësi ligjore për çka mund të bëjë një i afërm i tij, për çka mund të bëjë.

Aspekti moral është një çështje që vetë ministri Xhafaj e ka qartësuar me deklaratën e tij, se nëqoftëse se vërtetohet ajo çka akuzon opozita, ai do të jepte menjëherë dorëheqjen. Besoj se këtu mbyllet historia, dhe opinioni duhet të presë ekspertizën e specializuar për të vërtetuar saktësinë, ose autencitetin e auto-përgjimit, të presim.