Kreu i Gjykatës Kushtetuese përballet me vetingun, reagon avokati mbrojtës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Sipas KPK, Kryegjykatësi i Kushtetueses rezulton me probleme në justifikimin e pasurisë së tij, edhe pse DSIK dhe KLD kanë deklaruar se ai plotëson kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësimit profesional.

Gjithashtu komisioni u shpreh se Dedja ka bërë deklarime konfuze në dy deklarata noteriale. Mirëpo, këto pretendime, dje i ka hedhur poshtë avokati Haxhia si gjatë seancës dhe pas saj. Gjatë një prononcimi për mediat, avokati i gjyqtarit, deklaroi se të ardhurat e klientit të tij janë nga burime të ligjshme.

Sipas Haxhisë, Dedja i mbulon me ardhura të ligjshme të gjitha pasuritë që disponon. “Burimet janë të pastra, të mbuluara nga të ardhura të ligjshme. Për sa i përket apartamentit në plazh, është blerë nga vëllai i tij, që ka të ardhura të konsiderueshme por duke qenë se Bashkim Dedja ka qenë në punë në Durrës i paguante dritat dhe e administronte.

Këto janë akte që nuk të japin tagrin e pronësisë mbi objektin”, deklaroi ai. Më tej, avokati citoi raportet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që nuk gjen shkelje në deklaratat e gjyqtarit ndër vite, si dhe punën në të zezë të vëllezërve të gjyqtarit në emigracion.

“Vëllezërit e Bashkimit kanë punuar në të zezë prej vitesh në Greqi dhe vende të tjera dhe të ardhurat e tyre nuk janë deklaruar”, u shpreh ai. Më herët, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kreun e kushtetueses, avokati Maksim Haxhia, ka sqaruar burimin e të ardhurave, që sipas tij i kanë ardhur nga remitancat dhe nga aktiviteti i vëllait të tij, që merret me blegtori dhe bujqësi.

“Nuk ka dy deklarata të ndryshme, por ka dy deklarata që janë bazuar në të dhëna shtesë. Dmth e parë në ato të dhëna që ishin mbledhur fillimisht më pas kërkuan të dhëna më të detajuara, për burimin e parave të të vëllait i cili është emigrant prej 26 vjet. Kështu që konfirmojnë se këto burime janë të pastra dhe të mbuluara nga vëllai i vet e që e ka ndihmuar në blerjen e këtij apartamenti.

Sa i përket apartamentit në plazh, i cili është blerë nga vëllai i tij që ka të ardhura të konsiderueshme nga aktiviteti në fushën e blegtorisë, bletarisë dhe pemëtarisë. Nga të dhënat e Bankës Qendrore keni statistika vjetore të gjithë remitancat në vite të cilat janë nga puna që kanë bërë dhe që bëjnë, remitancat tani sa vijnë dhe zhbëhen. Të gjithë familjet janë mbajtur nga remitancat”, nënvizoi ai.