Gjiknuri: Gazsjellësi TAP nuk është kusht për BE por është i rëndësishëm

Ministri i Infrastrukturës dhe energjisë, Damian Gjiknuri ka folur për rëndinë e projektit TAP. Gjatë një interviste të dhënë për gazetarët italiane, Gjiknuri ka theksuar se TAP është një projekt afatgjatë dhe me ndikim në zhvillimin e ekonomisë. Gjithashtu ministri u shpreh se ky projekt është i  rëndësishëm  për Italinë dhe çdo qeveri italiane duhet ta mbështesë.

Pyetje: Z.minister, a është mbështetja për projektin e gazsjellësit TAP një kusht edhe për afrimin me Bashkimin Evropian?

Nuk është një kusht për  Bashkimin Evropian por siguria e furnizimit dhe siguria energjetike  është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Sa më shumë të  zhvillohet vendi aq më afër do të jetë edhe Bashkimi Evropian.

Pyetje: Italia mbetet një partner në çdo rast i priveligjuar për Shqipërinë?

Italia është një vend shumë  i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ne kemi marrëdhënie shumë të mira.  Shumë biznese italiane veprojnë këtu në Shqipëri dhe shumë kompani  italiane janë të angazhuara edhe në këtë projekt. Sëfundi ne kemi edhe  një marrëveshje mes kompanisë italiane të shpërndarjes së gazit SNAM  dhe kompanisë shqiptare shtetërore Albgaz për të mirëmbajtur sëbashku  segmentin e gazsjellësit TAP në territorin shqiptar.

Pyetje: Ndërsa këtu  projekti po ecën mirë, në krahun tjetër ka një tjetër qeveri në Itali.  Cilat do të jenë marrëdhëniet me qeverinë e re?

Besoj se marrëdhëniet mes  dy vendeve janë më të forta se sa çdo ndryshim qeverish në Itali. Vendet  tona kanë një histori të gjatë dhe kanë interesa të përbashkëta. Mendoj  se ky projekt është shumë i rëndësishëm edhe për Italinë, jo vetëm  për sigurinë e furnizimit me gaz të Italisë por Italia luan një rol kyç  edhe në Europë kur vjen fjala tek ky korridor gazi. Besoj se do të  ishte në interesin e çdo qeverie italiane që ta mbështesë këtë projekt.

Pyetje: Në Shqipëri  ky projekt është pritur me entuziazëm ndërsa në Itali ka patur disa  vështirësi. Si e shikoni këtë situatë nga ana tjetër e Adriatikut?

Nuk më takon mua që të  komentoj politikën e brendshme të Italisë pasi nuk kam një panoramë të  plotë. Siç e thashë edhe në fillim, parë në këndvështrim tim por edhe në  këndvështrimin global dhe europian në veçanti ky projekt është i  rëndësishëm  për Italinë dhe çdo qeveri italiane duhet ta mbështesë. Ky është  mendimi im. Nëse ka ndonjë shqetësim, kuptohet se gjithmonë do të ketë  pak njerëz që janë kundër çdo projekti por duhet kuptuar se këto janë  projekte afatgjata me efekte pozitive gjithashtu afatgjata.

Pyetje: A e ka mbështetur popullsia projektin TAP këtu në Shqipëri?

Po. Në përgjithësi  popullsia e ka mbështetur projektin TAP. Kuptohet, si këtu edhe atje në  Itali ka çështje të vogla që lidhen me shpronësimet apo ndonjë aspekt  mjedisor por ne kemi punuar sëbashku si autoritete shtetërore,  komunitete  lokale dhe konsorcium TAP për të zgjidhur këto probleme dhe shtyrë  projektin përpara.

Pyetje: A ka ndonjë  ngjashmëri me Italinë le të themi për raste ku autoritete drejtuese të  komuniteteve lokale janë kundër projektit?

Jo nuk ka ngjashmëri. Të  gjithë autoritetet lokale e kanë mbështetur projektin. Kuptohet, çdo  shqetësim lokal është adresuar në formën e duhur dhe qeveria ka ndihmuar  për zgjidhjen e problemeve. Në çdo rast idea ka qenë se si ta shtyjmë  projektin përpara.