S’kanë fund problemet te Argjentina, mesfushori dëmtohet rëndë dhe braktis Botërorin

Nuk kanë fund telashet për Argjentinën në prag të startit të Kupës së Botës. Trajneri Sampaoli do të jetë i detyruar që të bëjë një tjetër ndryshim në listën e të grumbulluarve për “Rusi 2018”, pas zëvendësimit të Serxhio Romero me Nahuel Guzman.

Mesfushori i bardhekaltërve, Manuel Lanzini, ka humbur botërorin për shkak të këputjes së ligamentit të jashtëm krocial në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së kësaj të premteje.

Lajmi është dhënë nëpërmjet Tuiterit nga Federata Argjentinase e Futbollit. Lanzini, që luan në Premier League me Uest Hemin, konsiderohej element shumë i rëndësishëm në formacionin e trajnerit Sampaoli. Përveç Botërorit, Lanzini do të humbasë edhe një pjesë të mirë të sezonit të ardhshëm në Premier League. Zëvendësuesi i tij pritet të mësohet së shpejti.