Veliaj: Deri në 2030-n, 50 për qind e transportit në Tiranë me biçikleta

Ndërtimi i rrjetit të korsive të dedikuara dhe  ardhja në Tiranë e 4 mijë biçikletave inteligjente Mobike që do të përdoren nëpërmjet smartphoneve, do të nxisë përdorimin masiv të biçikletës, e që do të sjellë ndryshim rrënjësor të mënyrës sesi do të lëvizin qytetarët në Tiranë.

I ftuar në konferencën me temë: “Bashkitë/Qytetet Urbane Inteligjente dhe Industritë e Energjisë Efiçente 2018”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se deri në vitin 2030, rreth 50 për qind e transportit në Tiranë do të ndodhë me biçikletë.

“Kopenhageni ka qenë në avangardë të këtij zhvillimi. Në fakt, ambicia jonë është që deri në vitin 2030 ne të kapim Kopenhagenin, pra 50 për qind e udhëtimeve në Tiranë të ndodhin me biçikletë. Sot jemi në nivelin 6 për qind, por para një viti ishim vetëm 3 për qind. Do të thotë që pavarësisht se shifrat janë modeste, nëse vazhdojmë me këtë progresion të dyfishimit të lëvizjeve me biçikletë në qytet, falë edhe futjes së risive teknologjik, unë besoj që shumë shpejt do jemi në rrugë të mbarë për të bërë një mini Kopenhagen kur vjen puna te disa nga këto risi”, tha Veliaj.

Tirana është qyteti i parë në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Sharing”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.

Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë prezantoi edhe një sërë nismash që ka ndërmarrë në më pak se tre vite Tirana, e cila jo vetëm që ka rritur transparencën, por njëkohësisht edhe ka modernizuar shërbimet.

Veliaj solli shembullin pozitiv të projektit inovativ të rezervimit të një vendi parkimi nëpërmjet telefonit, që ka krijuar lehtësira të ndjeshme për qytetarët, duke shmangur si kontaktin fizik me punonjësit, ashtu edhe ka ulur harxhimin e kohës që kërkohej me mënyrën se si veprohej deri më tani.

“Mbaj mend një nga eksperimentet e para që bëmë për “Tirana Smart City” ishte pagesa e parkingut me celular. Në fillim fare mbaj mend debatin dhe histerinë që vjen pas çdo ndryshimi të madh. Njerëzit që thoshin, kryetar parkimi ishte falas, tani është bërë me lekë. Ishte vërtet falas se në Tiranë në fakt kemi vetëm 4 mijë vende parkimi në sipërfaqe, ndërkohë që kemi 200 mijë makina?

A ishte falas vetëm për 4 mijë të parët që e zinin që në 5 të mëngjesit dhe rrinin 20 orë parkuar, por për 196 mijë makina të tjera kishte kosto dhe jo vetëm që nuk ishte falas, por xhiro, trafiku, ndotja dhe mbi të gjitha ajo që ne shqiptarët nënvlerësojmë, humbja spektakolare e kohës për të gjetur një vend parkimi. Sot ne sapo kemi kaluar 50 % e pagesave që bëhet me celular”, nënvizoi Veliaj.