Titujt bombastikë dhe “pazari” me të vërtetën

Nga Edmond Arizaj – 

Tragjike! Katastrofë! E paparë! Çfarë po ndodh? Ja çfarë ndodhi!

Nuk do ta imagjinoni…mos e bëni këtë veprim…ja kush është…çfarë i tha…

Janë vetëm pak, shumë pak nga titujt “bombastikë” dhe me gjysëm foto të portaleve shqiptare.

Që të informohesh tamam, duhet të klikosh.

Në 85 përqind të rasteve, nuk ka lidhje titulli me shkrimin brenda.

Thjesht je klikimi i radhës.

Janë shumë të rralla portalet që sillen si media, apo gazeta elektronike.

Shumica dërrmuese luajnë enigmatiken, por kjo nuk do të ishte keq, sikur në brendësi të mos luanin gënjeshtaren.

Pra me pak fjalë, tallje dhe shfrytëzim i besimit të publikut.

A nuk ju kujton kjo fatin e gazetave print?

Kur titujt vetëm bombastikë, pa asnjë të vërtetë brenda, i zunë vendin titullit të lajmit?

Sa do zgjasi kjo hileja e kuriozitetit te madh?

Unë besoj se jo përherë do ketë parti, politikanë, apo ndonjë biznesmen që do paguajë (nuk po them gjoba, sa lehtë thuhet kjo fjalë) për mbajtjen e portaleve.

Besimi i publikut dhe interesi i tij, do jetë përherë primar.

Le ta bëjmë paktin, jo besimi për të vërtetën e kulluar, që gjithsesi nuk e di askush ndonjëherë, por të paktën për të mos gënjyer si karremi peshkun.

E rrezikshmja nuk është se këta tituj i bëjnë portale periferike. Jo. I bëjnë edhe portale po i quaj të mëdha, serioze, madje që përfaqësojnë edhe media të tjera pas tyre.

Nuk kam ndërmend të bëj “shkencë” mbi informimin, media i takon publikut, apo “atavizma” të tjera të këtij lloji nga një kohë e bukur.

Portali është biznes. Ok.

Por ama, si biznes shet një mall. Malli yt është lajmi.

Nëse ma shet të prishur, nëse reklama jote është 100 përqind e ndryshme nga ajo çka prodhon, atëherë përsa kohë mendon që unë si blerës do vij në tezgën tënde?!

Ndoshta e kam gabim, por besoj që përpara ekskluzives, të djathtës, të majtës, apo përkrahjes, “pazari” duhet bërë me të vërtetën dhe thjeshtësinë.